Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, ka folur për secilin të akuzuar, duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Dëshmitari Mustafa ka folur për ta në kohën e vizitës së Shtabit të Përgjithshëm në Zonën Operative të Llapit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai fillimisht tha se nuk e ka ditur atë kohë pozitën e Hashim Thaçit, por e ka njohur si ushtar të UÇK-së, i rëndësishëm për luftën, duke shtuar se e ka konsideruar të tillë duke pasur parasysh faktin se çdokush të vinte nga Drenica, Dukagjini apo Shala nuk kanë mundur të flasin me Mustafën nëse nuk ka qenë i rëndësishëm.
Pas leximit të një pjesë të deklaratës së mëhershme të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dëshmitari tha se “e kam thënë atëherë, po e them edhe sot”, në lidhje me atë se anëtarët e tjerë të Shtabit, si Jakup Krasniqi, Bislim Zyrapi dhe Ramë Buja e kishin respektuar Hashim Thaçin.
Kurse për Jakup Krasniqin, tha se ishte zëdhënës i UÇK-së e që tha se ai e kishte njohur gjithmonë si të tillë edhe pse kishe parë dokumente që diku kishte shkruar titullin zëvendës për të.
Ai tha se atëkohë e ka parë si njeri të rëndësishëm dhe se e ka respektuar dhe e respekton ende.
Ndërkaq, tha se Rexhep Selimi ka qenë inspektor i përgjithshëm në UÇK dhe anëtar Shtabi. Për të, ai tha se e ka respektuar si luftëtar të zotin dhe njeri të rëndësishëm në organizimin e luftës, duke qenë këmbëngulës që UÇK-ja të organizohet sa më mirë.
Kurse për Kadri Veselin dhe se nuk e ka ditur pozicionin e tij gjatë luftës e as që e ka folur këtë ndonjëherë, por tha se e ka ditur që ka qenë shtab.
Më pas, Mustafa tha se ka qenë për një kohë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, por se është liruar nga detyra me vetiniciativë.
Ai tha se për atë periudhë ka pasur për detyrë të merret me logjistikë që ka përfshirë gjitha gjërat që është dashtë t’i ketë një ushtar dhe njësitet e UÇK-së, por se tha se prioritet për të ka qenë armatimi.
Duke vazhduar të përgjigjet të pyetjet e prokurores Clare Lawson, tha se janë furnizuar me armatim nga kishin mundur, por se mundësi reale për ta ka qenë Shqipëria. Por, ai shtoi se për të si komandant zone afër Serbisë, ka siguruar armatimin përmes rrugëve të biznesit me Serbinë.
I pyetur se kush ishte ‘Plaku’, ai tha se njeh dikë që kishte qëndruar në Shqipëri, i cili ishte marrë me grumbullimin e të mirave materiale për luftë.
Kurse, për pyetjen se nga kush financohej UÇK-ja, ai tha se nga kushdo që mundej, duke përmendur fondin e luftës 3%, shqiptarët jashtë vendit të cilët organizoheshin për ta ndihmuar luftën dhe njerëzit brenda vendit që financonin drejtpërdrejt luftën.
Më tej, gjatë seancës ai është pyetur edhe për negociatat e Rambujesë, i cili tha se ishin zhvilluar me sa i kujtohej shkurt-mars 1999.
Mustafa tha se ka pasur takime të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave në atë periudhë, por se nuk ishin të shpeshta.
Pohoi se ishte pro të shkuarit aty, por kishte pasur favoritin e tij, Adem Demaçin, i cili sipas tij nuk kishte pranuar të shkojë.
Më tej, Remi tha se para se anëtarët e delegacionit të vinin për të diskutuar, kishte qenë kundër nënshkrimit, por tha se pasi që ata kishin ardhur dhe kishin folur me ta është pajtuar se rruga që duhet ndjekur është nënshkrimin i marrëveshjes së Rambujesë.
Dëshmitarit i paraqitet një dokument kur tha se njëri prej nënshkrimeve i ngjan nënshkrimit të tij, por se nuk i kujtohej ky dokument kur thuhet se ‘‘…Shtabi i Përgjithshëm do japë mendim përfundimtar pasi të konsultohet me komandantët e zonave, Shtabi i Përgjithshëm është në favor të nënshkrimit të kësaj marrveshjeje’’.
Në këto rrethana, ky material dhe përkthimi në shqip janë pranuar si prova materiale.
Në vazhdim, dëshmitari Mustafa tha se komandanti i parë në atë kohë për të është emëruar Sylejman Selimi, ku në atë takim kishin qenë të pranishëm komandantët e zonave.
Ai tha se ka qenë një keqkuptim, ku anëtari i Shtabit, Sokol Bashota kishte qenë aty, por që më pas e kishte lëshuar takimin, kurse tha se mund të ishte i pranishëm edhe Rexhep Selimi.
Dëshmitari Mustafa ka folur edhe për qëllimin e sektorit të inteligjencës, i cili ka thënë se mbledhja e informacioneve për bashkëpunëtor ka mund të jetë një nga objektivat dhe se tha se secila njësi ka pas një person që është kujdes për rreziqet e mundshme të njësisë dhe gjithashtu edhe të zonës.
Më tej, tha se gjithë sektorët e UÇK-së kanë pasur të bëjnë me fuqizimin dhe propagandizimin e luftës që po zhvillohej.
I njëjti pastaj pranoi si të tillë dokumentin e paraqitur, konkretisht rregulloren e Zonës së Llapit, ku ndër detyrat e sektorit të moralit ishte edhe bashkëpunimi me sektorin e inteligjencës për zbulimin e mjeteve, veprimeve të armikut në planin propagandistik dhe psikologjik.
Ai më tej tha se dokumentet e tilla janë bazuar në literatura të ndryshme, por se nuk i kanë pasur mjetet as mundësitë për të zhvilluar punën deri aty.
I pyetur për termin e “luftës speciale”, ai tha se tani që është kohë tjetër ka njohuri tjera por kur ka qenë komandant si 26-vjeçar i kanë sistemuar këto në letër përmes literaturës, por nuk do të thonë se e kanë ditur.
I pyetur nëse Shtabi i Përgjithshëm ka përdorur këtë term në takime, ai tha se nuk i kujtohet se nuk beson se në Shtab është folur kjo.
Por kur atij iu paraqit komunikata 54 ku thuhet se ‘‘emisarët e armikut dhe përhapësit e luftës speciale do trajtohen sipas ligjeve në rrethana lufte’’, dëshmitari tha se e kanë trajtuar në komunikatë me publikun, por jo me komandantët e zonave.
Ai shtoi se ata kanë qenë njerëz të terrenit kur kanë parë para syve shokë dhe miq duke ju vrarë dhe tha se nuk ishin në komoditetin të flisnin për terminologji të caktuara.
Kurse, kur u pyet nëse Zona Operative e Llapit ka nxjerrë deklarata me shkrim ku shprehet shqetësimi për luftën speciale, ai tha se ka qenë e mundët të jetë përcjellë diçka duke shtuar se ‘‘për mu s’ka qenë atëherë as tash s’po m’duket diçka e veçantë’’.
Seanca është duke vazhduar në sesion publik.
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...
Drita e mbyll si kampione stinorin vjeshtor, Ballkani e ndje...