Google ADS

Pushimi i lehonisë, sfida shtesë e grave që punojnë

08:15 | 28 Prill 2018
Arbresh.info

Punëtorëve në sektorin privat në shumicën e rasteve u shkelën të drejtat.

Një gjë e tillë bëhet e ditur në raportimet e ndryshme në media ku një nga shkeljet është edhe mosdhënia e pushimit të lehonisë për femrat.

Në këto raportime kemi parë se shumë gra shtatzëna të cilat kanë qenë duke punuar nuk i është lejuar pushimi i lehonisë, shkruan arbresh.info.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi ka thënë për portalin Arbresh.info se bazuar në statistikat e Inspektoratit të Punës gjatë vitit 2017 ka pasur ankesa për pushim të lehonisë.

“Në bazë të statistikave të Inspektoratit të Punës, gjatë vitit 2017, kemi pasur gjithsej 9 ankesa për Pushim të Lehonisë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se të gjitha këto raste janë trajtuar nga ana e Inspektoratit dhe janë nxjerrë vendime meritore.

Të gjitha janë trajtuar dhe janë nxjerr vendime meritore. Për këtë çështje jemi ende më të kujdesshëm (edhe pse mundohemi me qenë për herë në nivel të kompetencave) duke e pasur parasysh rëndësinë, por edhe ndjeshmërinë e kësaj çështje. Në të gjitha rastet, kur kanë të drejtë ligjore ankueset, zgjidhen pozitivisht dhe zbatohen vendimet tona”, ka thënë ai.

Sipas tij ankesat vijnë kryesisht nga sektori privat.

Tutje Ibrahimi ka treguar se nuk kanë informata për ndërprerje të punës për shtatzëna, duke shtuar se me ligj mos vazhdim i kontratës lejohet.

Për ndërprerje të marrëdhënies së punës për shtatzënat ne nuk kemi informata të tilla. Fatkeqësisht, ligji lejon mos vazhdimin e kontratës (jo ndërprerjen) edhe të grave shtatzëna nëse i skadon kontrata”, ka treguar Brahimi.

Mirëpo nuk janë vetëm femrat shtatzëna ato që mund ta shfrytëzojnë pushimin e lehonisë. Janë edhe baballarët të cilët kanë të drejtë në shfrytëzim të pushimit të lehonisë.

Në bazë të Ligjit Nr. 03/L-212, apo Ligji i Punës në nenin 50 ku përcaktohen të drejtat e atit të fëmijës thuhet se ai ka të drejtë: “(2) ditë pushim me pagesë me rastin e lindjes së fëmijës ose adoptimit të fëmijës; dhe, (2) javë pushim të papaguar pas lindjes së fëmijës, ose adoptimit të fëmijës, në periudhën derisa fëmija ta ketë arritur moshën tri (3) vjeç”.

Mirëpo se a e shfrytëzojnë këtë të drejtë baballarët, një gjë e tillë ende nuk dihet, pasi që nuk ka ndonjë të dhënë për këtë./Arbresh.info/R.Rexhepi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme