Të hënën ka nisur viti i ri shkollor për nxënësit dhe mësimdhënësit në mbarë Kosovën. Por, jo edhe për Ardian Rexhepin nga Klina. Ai ka mbetur jashtë dyerve të gjimnazit “Luigj Gurakuqi”, pas 14 vitesh përvojë pune në fushën e arsimit.
Është kontaktuar drejtori i Arsimit në Komunën e Klinës, i cili ka treguar arsyen pse Rexhepi ka mbetur pa orë mësimore.
Lajmin se ka mbetur pa punë e kishte kuptuar vetëm pasi kishte shkuar në vendin e tij të punës të hënën e 2 shtatorit. Rexhepi ka shkruar në Facebook se kishte shkuar në shkollë dhe e kishte parë se emri i tij nuk figuron në orarin e mësimit.
“Dje ishte fillimi i vitit shkollor 2019/2020, unë si profesor në shkollën e mesme të lartë “ Luigj Gurakuqi” në Klinë, mora lajmin që pas 14 viteve jam i papunë, një gjë e tillë u bë nga drejtori i shkollës tonë Xhafer Bashota, pasi që e pyeta se pse nuk figuroj në orar”, ka shkruar Rexhepi.
Ai tutje ka treguar se përveç përvojës 14-vjeçare në arsim, është në përfundim të doktoraturës në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Prishtinës.
“Një informim në pika të shkurta për të gjithë ata që më njohin vetëm si emër, unë Ardian (Nezir) Rexhepi kam përfunduar studimet bachelor në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematiko – Natyrore, Departamenti i Kimisë, më pas në të njëjtin fakultet kam përfunduar shkallën e masterit (Msc), tani jam në përfundim të doktoratës (PhD), në të njëjtin fakultet, program kimi”, ka shkruar Rexhepi.
Rexhepi ka shtuar se ai e ka ushtruar edhe detyrën e Asistentit të Angazhuar në UP, në Fakultetin e Mjekësisë e më pas në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.
“Kontributi im si profesor në arsimin para universitar nuk ka qenë i vetmi, unë që nga viti 2010/2011 kam ushtruar detyrën në nivel universitar të Asistentit të Angazhuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa nga viti 2014/2015 kam ushtruar të njëjtën pozitë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës”, ka shkruar ai.
Gazeta Express ka kontaktuar drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Klinës, Arben Limanaj, i cili ka treguar se është i njoftuar me rastin e mësimdhënësit Ardian Rexhepi.
“Unë jam njoftuar sot, edhe pse shkolla na ka paralajmëruar për zvogëlim të numrit të nxënësve, por konkretisht sot jam njoftuar prej arsimtarit në fjalë. Jemi në përpjekje për të ia krijuar një normë që ta mbajmë në proces”, ka thënë Limanaj.
Ai ka shtuar se është në përpjekje që ta mbajë mësimdhënësin Rexhepi brenda sistemit arsimor, duke e përfshirë arë në lëndë që i përshtaten profesionit të tij.
“Që s’ka lëndë profesionale të tij jam njoftuar me një shkresë nga drejtori i shkollës, ne njoftimin e kemi marrë vetëm që nuk ka lëndë profesionale të tij. Ai ka dhënë lëndë të ndryshme, jo të profesionit të tij, sipas njoftimit që e kemi marrë më herët. Mirëpo ne jemi në përpjekje që ta mbajmë brenda sistemit, duke u mundu ta përfshijmë në lëndë që i përshtatën profesionit të tij, jo lëndë jashta asaj që mund të japë si arsimtar”, është shprehur Limanaj.
Limanaj theksoi se ka edhe raste të tjera kur nuk ka lëndë profesionale, por që mësimdhënësit i mbajnë lëndët tjera të cilat janë më të përafërta me profesionin e tyre.
KRU “Gjakova” me apel për pagesa të faturave
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë