Punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Ahmeti: Piramidat dhe Muri Kinez janë ndërtuar për 20 vjet, a ne na duhen 15 vjet për një rrugë

11:04 | 26 Tetor 2024
K.B

Eksperti i komunikacionit në Kosovë, Bekim Ahmeti ka kritika të shumta për autostradat, të cilat thotë se janë ndërtuar pa lidhje mes njëra-tjetrës, si dhe vonesës së asfaltimit të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, e cila ka hyrë në vitin e 15 që ka nisur dhe ende nuk ka përfunduar.

Në Kosovë, aktualisht janë katër rrugë kryesore që lidhin qytetet e mëdha, të cilat kanë nisur të ndërtohen, disa prej tyre kanë mbi 10 vjet, e disa më pak, por asnjëra ende nuk ka përfunduar.

Rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Gjakovë, e Prishtinë-Gjilan po vazhdojnë tash e sa vite të ndërtohen mes kritikave të shumta që po shkaktojnë kolona të gjata dhe vonesa në komunikacion, duke ua vështirësuar jetën qytetarëve.

Për Arbresh.info, Ahmeti, në mënyrë ironizuese thotë se faraonët i kanë ndërtuar Piramidat dhe kinezët kanë ndërtuar Murin Kinez për 20 vjet, e në Kosovë rruga Prishtinë-Mitrovicë nuk është në gjendje të përfundohet për 15 vjet.

“Nuk ka kapacitet ekonomik Operatorët Ekonomik me kriju kësi rrugë të mëdha, është shumë e madhe, kanë kapacitet të dobët edhe mungesa e bashkëpunimit. Pastaj komunat edhe ministritë së bashku e lejojnë këtë me ndodhë. Imagjinoje Prishtinë-Mitrovicë qe 15 vjet u nis rruga, Piramida në Egjipt që e kanë ndërtu faraonët 20 vite edhe muri kinez ka zgjat. Na duam me lan një nam Prishtinë-Mitrovicë me afat kohorë 15 vite. Prishtinë-Gjilan s’është dashtë me u ndërtu hiq se e ke pas deri në Ferizaj autostradën, pse s’pe lidh Ferizajn me Gjilan edhe në rregull je po shkon bën kosto palidhje”, tha Ahmeti.

Ahmeti, ka kritikuar edhe autostradat “Ibrahim Rugova” që e lidh Kosovën me Shqipërinë dhe atë “Arbën Xhaferi” që e lidh vendin me Maqedoninë e Veriut.

“Imagjinoje, autostrada “Arbën Xhaferi” dhe autostrada “Ibrahim Rugova” nuk gërshetohen kërkund nuk lidhen, duhet me ardh gati në Prishtinë me u lidh në autostradë, budallak. Është dashtë autostradat me u lidh ndërmjet veti. Pastaj ajo rruga për në Tetovë, pse me u ba rruga për në Tetovë, ti e ki autostradën deri në kufi, prej kufirit shkon në Tetovë shumë lehtë. Popullizëm, patriotizëm me kosto maksimale të autostradave budallak”, tha tutje Ahmeti.

Ndonëse Kosova ka shënuar përparim, infrastruktura rrugore përballet ende me sfidat si mirëmbajtja dhe riparimi i rrugëve, financimi, menaxhimi i projekteve me kohë etj.

Në të ardhmen, investimet e reja për përmirësimin e infrastrukturës në Kosovë, ndriçimi publik dhe ndërtimin e lidhjeve të reja pritet të kenë një ndikim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës në Kosovë./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme