Punimet në rrugën që lidh Deçanin me Plavën, janë duke u zhvilluar me një dinamikë të përcaktuar. Kështu tha për Radio Kosovën kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Ramosaj ka sqaruar se keqkuptimet kanë ndodh për shkak të largimit të disa gurëve nga të reshurat në Zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit. Ai u zotua se nuk do të cenojnë zonat e mbrojtura me ligj.
Kompanitë e kontraktuara nga Komuna e Deçanit janë duke vazhduar punimet në rrugën që lidh Deçanin me Plavën e Malit të Zi. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj. Ramosaj tha se ky është zhvillim i favorshëm dhe nuk cenon as Zonën e Veçantë të Mbrojtur e as Manastirin e Deçanit. Ai vlerëson se kjo pjesë është pasuria më e madhe që ka Kosova.
Ramosaj ka vënë në theks se janë të përkushtuar maksimalisht që në të ardhmen të ndodhë edhe rehabilitimi i rrugës në Zonën e Veçantë.
”Mirëpo, në të ardhmen pritet që edhe rehabilitimi I rrugës që është në Zonën e Veçantë, të ndodhë dhe ne jemi duke dhënë përkushtimin tonë maksimal. Si komunë bashkë me faktorët relevant të bashkësisë ndërkombëtare dhe në bashkëbisedim me personelin e Manastirit po mundohemi t’ ua shpjegojmë dhe ti bindim që ky është zhvillim I favorshëm për të gjitha palët që nuk e cenon as Zonën e Mbrojtur e as manastirin e Deçanit”, tha Ramosaj.
Se pjesa ku po zhvillohen punimet nuk i përket Zonës së Mbrojtur të Manastirit të Deçanit e potencon edhe Bekim Mushkolaj, kryetar i Shoqatës së Historianëve ”Ali Hadri”, në Deçan. Sipas tij, udhëheqësit e manastirit po propagandojnë me qëllim të krijimit të problemeve të panevojshme.
“Mendoj që disa njerëz të diplomacisë serbe dhe vetë Manastirin e Deçanit po e pengon zhvillimi ekonomik I Deçanit sepse e vetmja mënyrë për rritjen e zhvillimit ekonomik të Deçanit është kjo rrugë, kjo arterie”, tha Mushkolaj.
Ndërkaq, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, u shpreh se nuk kanë asgjë kundër ndërtimit të kësaj rruge, por që, sipas tij, duhet respektuar ligji për Mbrojtjen e Zonave të Veçanta. Janjiq tha se transporti i mjeteve të rënda në këtë pjesë, do t’ i shkaktonte dëme ndërtesës e cila daton prej shekullit të XIV.
“Pëlqimi ynë nuk është relevant, kjo është veprimtari ilegale. Ne ketë çështje e kemi diskutuar në vitin 2014. Ne nuk mund ta rrëzojmë ligjin. Ta ndërrojnë ligjin me procedurë parlamentare nëse duan. Ligji nuk mund të ndërrohet nëse dikujt i shkon për shtati. Ne e mbështesim ndërtimin e rrugës, por ashtu siç është marrë vesh me herët, ashtu si ka vendosur qeveria e mëparshme. Nuk e di pse të ndërrohen vendimet”, tha Janjiq
Ndërkohë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se këto punime janë duke u zhvilluar jashtë zonës së mbrojtjes, rreth Manastirit të Deçanit, duke shtuar se nuk do të lejojnë që të cenohet asnjë institucion, ashtu siç nuk do të lejojnë që të ketë përparësi një institucion tjetër.
Për ndërprerjen e punimeve në këtë rrugë me urdhër të Manastirit të Deçanit, ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Haradinaj ka ftuar diplomatët që të shkojnë në vendin e ngjarjes, për t’u bindur se rruga që po rinovohet ka ekzistuar edhe më parë.
Kujtojmë se punimet për asfaltimin e kësaj rruge kishin filluar në vitin 2014 nga ish kryeministri Hashim Thaçi dhe ish kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj. Në një pjesë të rrugës punimet rifilluan në fund të muajit prill të këtij viti, pasi Ministria e Infrastrukturës ndau 12 milionë euro për rifillimin e punimeve. Ky projekti infrastrukturor do të jetë i gjatë 30 kilometra dhe qeverisë do t’i kushtojë 50 milionë euro.
Burimi arsyeton veprimet e tij që i vendosin vajzat në sikle...
Rrahmani: Jemi duke përpiluar planin e qeverisjes për zgjedh...
Veliaj thirrje studentëve: Rezervoni online dhomën e konvikt...
Mbi 3.000 të vrarë në Liban gjatë 1 viti lufte mes Izraelit ...
Bislimi: Shkalla e papunësisë ka rënë nga 23.8% në 10.8%
E kapën me forcë Sarën për ta hedhur në pishinë – Del klipi ...