Punime nga argjila| Në temperaturë 1200 gradë dhe 21 ditë për të arritur produktin final

13:00 | 11 Nëntor 2023
K.B

Kosova është e njohur për traditë të pasur të artizanatit me vlera të çmuara, të punuara nga duart e arta të artistëve tanë.

Për një periudhë të gjatë kohore objektet e punuara nga argjila kanë gjetur një përdorim të gjerë në amvisëri, por edhe në dekorim të hapësirës jetësore.

Pjata, gota, vazo e shumëçka tjetër, të gjitha të punuara nga dora e Fatos Lleshit nga Gjakova, i cili tash e 18 vjet merret me këtë zanat.

Ai na tregon se nga u inspirua për të nisur këtë lloj biznesi.

“Biznesin e kemi filluar që 18 vite, punojmë si prodhim, ideja për të hapur një biznes të tillë ka filluar duke shikuar punime në YouTube, duke i parë punimet e japonezëve atëherë pse jo për mos me e hapë një biznes, i cili nuk është shumë i mbipopulluar, po flas në rajon nuk ka shumë argjilë punues sidomos ata që i punojnë vazot nga një metër”, shprehet ai.

Lleshi, na përshkruan gjithë procesin e punimit të pjatave, gotave, vazove e gjësendeve të tjera nga argjila.

“Procesi i parë për punimet me argjilë është fermentimi dhe homogjenizimim i argjilës që vije si lëndë e parë prej kodrës së Çabratit, ku qëndron 21 ditë, dhe vije në atë momentin që bëhet elastike nuk prishet, ku vije edhe deri tek procedura e modelimit”, tregon ai.

Lleshi tregon sa kohë merr finalizimi i këtyre produkteve.

“Punimi varet nga modeli, por kryesisht punimi i një pjate të thjeshtë merr kryesish deri në tre minuta kohë. Deri në momentin që pjekët argjila mund të kthehet në çfarëdo gjendje, momentin që pjekët atëherë është material i vdekur. Për të punua me argjilë duhet teknik, durim dhe qëndrim. Dashurin që e kam për punën mund ta punoj një poç (pjatë) me sy të mbyllur”, thotë ai.

Megjithatë, që këto produkte të finalizohen, duhet pritur 21 ditë.

“Një punim për të ardhur deri tek finalizimi i duhet kohë deri në 21 ditë nga momenti i modelimit, pra 19 ditë tharja dhe nga dy ditë pjekja e parë dhe e dytë.

Pjekja e parë e punimit bëhet bë temperatura të buta kryesisht në 750 gradë celsius, ndërsa temperatura maksimale e arritur për qeramikë është 1200 gradë celsius”, shprehet ai.

Lleshi, thekson se kjo punë përveç se është fitimprurëse, është edhe mjaftë e lodhshme derisa të arrihet tek produkti final.

“Kjo punë është mjaftë fitimprurëse dhe mjaftë është punë e lodhshme. Ne që punojmë me argjilë lodhemi edhe fizikisht, por edhe psikike, sepse janë matjet ku duhet të llogaritet tkurrja, pjekja dhe gjatë pjekjes duhet të shikohet se sa po zvogëlohet modeli sepse 17 për qind e modelit zvogëlohet në tharje”, tregon ai. /Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme