Punëtorët e KEDS-it me ultimatum, paralajmërojnë kolaps energjetik

11:12 | 2 Gusht 2018
Arbresh.info

Punëtorët e KEDS-it kanë mbajtur sot grevë një orëshe para ndërtesës së kësaj kompanie në Prishtinë me dy kërkesa kryesore; ngritje të pagave si dhe nënshkrim të kontratave kolektive.

Aty paralajmëruan grevë të përgjithshme dhe kolaps energjetik në mbarë vendin, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen deri në shtator.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Hajdini kërkesat e punëtorëve të KEDS-it i ka quajtur legjitime.

“BSPK-ja është krejt me juve, kërkesat e juaja janë legjitime, të ligjshme në marrëveshjen kolektive, në diskutimet me Qeveri. Zero pesë për qindëshi i përvojës së punës duhet të realizohet, patjetër duhet të realizohet jo sikurse nuk e realizojnë, por atyre një mesazh ua dërgoj që të realizohet sa më parë, që t’i thërrasin sindikalistët të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për pagën e punëtorëve, për jetën e punëtorit, për një pagë të dinjiteshme. Përndryshe protesta do të vazhdojë, sot me kaq punëtorë, nesër në të gjitha distriktet do të organizojmë protesta masive”, u shpreh ai.

Kryetari i Sindikatës së Prishtinës, Ahmet Hyseni ka paralajmëruar grevë të përgjithshme.

“Na nuk do të zmbrapsemi prapa do të luftojmë, më nuk ka kthim mbrapa, na kurgjo nuk po lypim çka nuk na takon, na takon kontrata kolektive e përgjithshme, na takon rritja e pagave për atë arsye iu garantoj që në shtator do të fillojmë me grevë të përgjithshme nuk do të ndalemi, edhe një selam po ua dërgoj këtyre në ndërtesë se është shumë keq me mendua ata me përfitua në shpinë të dikujna tjetër, nuk kanë me përfitua, atë iu garantoj”, ka thënë ai, transmeton kp .

Ndërsa nënkryetari i FSPE-së, Fehmi Pajaziti, u shpreh se ka mjaft hapësirë të realizohen kërkesat e tyre pa ndikuar në tarifat e konsumatorëve.

“Të unifikuar këso fare si jemi besoj në realizimin e qëllimeve tona, synimeve tona, të cilat mendojmë dhe aspirojmë të shkojmë në shtator në grevë të përgjithshme gjenerale, mirëpo bëj apel tek institucionet relevant, gjegjësisht në këtë rast tek menaxhmeti KEDS dhe institucionet tona që e kanë shitur e kanë privatizua këtë rast Qeveria që të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe mos të shkojmë deri tek shtatori, por të ngriten pagat dhe të realizohet marrëveshja e përgjithshme kolektive që jemi të dëmtuar ne si klasë punëtore”, u shpreh ai.

Se kërkesat e punëtorëve të KEDS-it janë të drejta e ka thënë edhe nënkryetari i Sindikatës së Re të Punëtorëve të KEK-ut, Nexhat Llumnica i cili ofroi edhe mbështetje për realizimin e kërkesave të punëtorëve.

Gjatë ditës së djeshme punëtorët e KEDS-it në Mitrovicë kanë protestuar për një orë para ndërtesës së kësaj kompanie.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme