Punësimi dhe rimëkëmbja e arsimit, zotime të sërishme elektorale

09:06 | 30 Shtator 2019
Arbresh.info

Qe pesë ditë radhazi kandidatët e subjekteve politike për kryeministër të Kosovës janë duke premtuar përmirësim të cilësisë së arsimit dhe investim të milionave në këtë sektor. Gjatë ditës së djeshme ata janë zotuar edhe për punësim të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Premtime të tilla zyrtarët e partive kanë dhënë vazhdimisht edhe në të kaluarën, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kandidatët e subjekteve politike për kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës kanë vazhduar tubimet në kuadër të fushatës zgjedhore edhe gjatë të dielës. Dita e djeshme, e pesta e fushatës, është zhvilluar në një varg qytetesh të Kosovës, duke filluar nga Suhareka, Lipjani, Vushtrria, Drenasi, Mitrovica, Prishtina deri te Klina, Gjakova e Peja. Pretenduesit për t’u bërë kryeministër, sikurse ditëve të kaluara, edhe të dielën dhanë një sërë premtimesh para qytetarëve. Shtesat për fëmijë, rritja e numrit të të punësuarve, mospolitizimi i arsimit janë vetëm disa prej zotimeve të rithëna nga ta gjatë ditës së djeshme. Pos këtyre të nominuarit për shef të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës premtuan edhe rritje të numrit të çerdheve, investim në arsimin parashkollor, si dhe investim prej 80 milionë eurosh për projekte inovative, me qëllim që nga ky veprim të përfitojnë të rinjtë e Kosovës.

Osmani: Kapacitetet shkollore do të shtohen për 10 herë

Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë tubimeve që pati dje në disa qytete tha se arsimi do të jetë prioritet i lartë i qeverisjes së udhëhequr nga LDK-ja. “Do të kemi shumëfish më shumë investime sesa kemi pasur deri më tash, duke e konsideruar arsimin si një nga shtyllat nëpërmjet të cilave ndërtojmë potencialin më të rëndësishëm, edhe social, edhe ekonomik për vendin”, u shpreh ajo.

Me këtë rast Osmani tha se kapacitetet shkollore do të shtohen për 10 herë. Kjo pasi, siç deklaroi ajo, ndryshimet në arsim duhet të fillojnë nga poshtë-lart. “Duke investuar në arsimin parashkollor ne ua mundësojmë nënave të punojnë dhe të kontribuojnë për mirëqenien e familjeve të tyre, duke rritur përqindjen e punësimit të tyre”, shtoi nënkryetarja e LDK-së.

Me këtë rast Vjosa Osmani u zotua edhe për mospolitizimin e plotë të arsimit. “Emëruesi i përbashkët i këtyre veprimeve do të jetë depolitizimi i arsimit, rritja e dukshme e investimeve në arsim dhe angazhimi i të gjithë ekspertëve arsimorë në Kosovë, pa dallim përkatësie politike”, potencoi ajo.

Veseli: Në qeverisjen time s’do të ketë të rinj që ikin masivisht

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, u shpreh i bindur se me PDK-në në krye të qeverisë nuk do të ketë më të rinj që do ta braktisin Kosovën. “Në qeverisjen time nuk do të ketë më të rinj që ikin masivisht nga Kosova. Por atyre do t’u ofrojmë mundësi që të punojnë, të krijojnë familje dhe t’i rrisin fëmijët këtu, pranë baballarëve dhe gjyshërve të tyre”, deklaroi ai të dielën.

Në qeverisjen e kryesuar nga PDK-ja Veseli tha se do të rritet roli i grave dhe përkujdesja ndaj të moshuarve. Me këtë rast ai ripërsëriti edhe një herë zotimin për rritje të pensioneve. “Në qeverisjen time do ta forcojmë edhe më shumë rolin e grave dhe do ta rrisim përkujdesjen për të moshuarit, duke ua rritur për 80 për qind edhe pensionet. Kur fiton PDK-ja, fiton Kosova”, nënvizoi Veseli.

Ai gjithashtu premtoi edhe heqje të pagesës për bashkatdhetarët e diasporës që vijnë në Kosovë. “Për çdo bashkatdhetar e kemi ulur 50 për qind pagesën për policat e sigurimeve, por tash në qeverisjen e ardhshme do ta largojmë gjithë pagesën”, potencoi ish-kryekuvendari i Kosovës.

Kurti: 80 milionë euro për projekte inovative për të rinjtë

Kandidati për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti, u zotua se qeveria e udhëhequr nga LVV-ja do ta zhvillojë Kosovën duke pasur parasysh parullën “Asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë familje pa një të punësuar”. Ndërkohë premtoi se për fëmijët nën moshën 16-vjeçare do të ndahen nga 120 euro në vit. “Do ta ndajmë mirëqenien duke paguar deri në 240 euro në vit për fëmijët nën 2 vjeç e 120 euro në vit për fëmijët nën 16 vjeç dhe do të heqim tatimin për të ardhurat deri në 300 euro, sepse askush nuk duhet të paguajë për të mbetur gjallë”, deklaroi Kurti gjatë një tubimi në Therandë.

Gjersa u shpreh i bindur në fitore, Kurti tha se miliona euro do të ndahen për projekte inovative për të rinjtë. “Për vajzat dhe djemtë tanë do të ndajmë 80 milionë euro për projekte inovative në mandatin tonë të parë, ku do të përfitojnë së paku 24 mijë të rinj, sepse të rinjtë kanë talentin e dijen dhe tash edhe LVL-në do ta kenë në qeverisje, që do të thotë do ta kenë edhe mundësinë”, potencoi ai.

Pos kësaj Kurti tha se do të hapen çerdhe të reja, si dhe do të ketë rritje të pensioneve.

Haradinaj: Në vizionin tonë përfshihet mësimi dual

Gjatë tubimeve të djeshme i nominuari për kryeministër nga koalicioni AAK – PSD, Ramush Haradinaj, tha se në programin e këtij koalicioni janë përfshirë një varg reformash që garantojnë punë dhe perspektivë për të rinjtë. “Në vizionin tonë 100% Kosovë e kemi përfshirë mësimin dual, fondin për punësim, kompensimin e 50% të pagës për çdo punësim fillestar në prodhim dhe një varg masash reformuese që garantojnë punë e perspektivë për rininë, për ta ndërtuar jetën dhe karrierën në vend”, theksoi kreu i AAK-së.

Haradinaj gjatë së dielës foli edhe për vijën kufitare mes Kosovës e Malit të Zi, me ç’rast u zotua se do të ndodhë korrigjimi i vijës kufitare mes dy shteteve, respektivisht se guri i kufirit do të kthehet në Çakorr e në Kullë.

Limaj: Qytetarët duan një shtet ku ka vende të reja të punës

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma – AKR – PD, Fatmir Limaj, tha se duhet të bëhen të gjithë bashkë për zhvillim ekonomik dhe një sërë çështjesh tjera. “‘Bashkë për shtetin’ është për një jetë më të mirë për njerëzit tanë. Për punëtorin që mbrohet me Ligjin e Punës. Për të rinjtë, për nënën e Kosovës. Për prindërit që t’u takojnë shtesat për fëmijët, për nënat vetushqyese. Bashkë për shtetin për pensionistin”, tha Limaj.

Qytetarët, siç Limaj tha, duan një shtet në të cilin hapen vende të reja të punës. “Kosova dhe qytetari sot dëshiron të shohë një shtet të fortë dhe të fuqishëm. Një shtet social, një shtet ku ka vende të reja të punës. Një shtet ku mbrohen të drejtat e punëtorëve. Një shtet, i cili u del në ndihmë atyre që kanë nevojë”, nënvizoi kryetari i Nismës Socialdemokrate.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme