Google ADS

Punësimet politike në institucione, prijnë PDK e LDK

17:38 | 19 Mars 2019
Arbresh.info

Partia Demokratike dhe më pas Lidhja Demokratike prijnë sa i përket “rehatimit” të militantëve partiakë nëpër pozita vendimmarrëse publike.

Sipas një hulumtimi të Çohu, janë pikërisht ministritë e Kosovës, ato të cilat janë streha më e madhe për militantët partiakë.

Marrëveshjet mes institucioneve që në pozitat më të larta të mos ketë njerëz të afërt me partitë politike nuk po respektohen.

Kështu, janë 406 zyrtarë të lartë publik, që janë të afërt me politikën dhe kanë qenë ose janë të punësuar në pozita të larta vendimmarrëse nëpër institucione publike.

Nga ky total, nëse e shohim shpërndarjen nëpër dikastere të ndryshme, del të jetë se shumica e militantëve politik janë “rehatuar” nëpër ministri të ndryshme, ndërmarrje publike, e institucione të pavarura.

Në bazë të monitorimeve të organizatës “ÇOHU”, Partia Demokratike e Kosovës del të jetë, subjekti politik që ka punësuar më shumti persona të afërt më këtë parti.

Nga gjithsej 185 të punësuar, 93 prej tyre zënë vend nëpër ministri të ndryshme, duke pasuar në ndërmarrjet publike 59 sosh e në institucione të pavarura 16.

Ministria e Arsimit është ajo që prinë me numrin më të lartë të këtyre zyrtarëve nga kjo parti me 20, Ministria e Jashtme me 18, si dhe Ministria e Shëndetësisë me 12.

Partia e dytë për nga punësimet partiake, radhitet subjekti që aktualisht është në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga gjithsej 125 të punësuar, primatin e mbajnë ministritë me 65 të punësuar, ndërmarrjet publike me 38 dhe institucionet e pavarura me 12.

Edhe këtu, Ministria e Arsimit është e para me 17 të punësuar partiak, Ministria e Shëndetësisë me 15, Ministria e Tregtisë me 7, si dhe Ministria e Jashtme me 6.

Ndërkaq partia nga e cila vjen kryeministri Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, numri i punësimeve partiake e kap shifrën e 37 personave. 20 nëpër ministri, 11 nëpër ndërmarrje publike, dhe vetëm një në institucione të pavarura.

Ministria e Shëndetësisë me 10 të punësuar, 4 në Ministri të Arsimit dhee 3 në Ministri të Transportit dhe Infrastrukturës.

Por as partia e Aleanca Kosova e Re e udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, nuk ka mbetur anash në punësime politike.

Ajo ka të punësuar ose kanë qenë duke punuar 19 persona të afërt me këtë parti. 10 nga ata të “rehatuar” nëpër ministri, 5 nëpër ndërmarrje publike  dhe 1 në institucione të pavarura.

Ministria e Arsimit  me 5 të punësuar, Ministria e Shëndetësisë me 2 dhe të tjerët me nga një.

Kurse Lëvizja Vetëvendosje, me gjithsej 7 të punësuar, prej tyre 6 në ndërmarrje publike kurse një në ministri. Nisma Socialdemokrate me 3 persona në ministri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme