Google ADS

Pulmologu i QKUK-së: Gati 100% e pacientëve me Covid-19 po trajtohen me oksigjen, pak shtretër janë të lirë!

16:40 | 29 Korrik 2020
Arbresh Info

Gjendja aktuale në Klinikën e Pulmologjisë, aty ku po trajtohen edhe rastet e infektuara me Coronavirus, është e rëndë. Kjo ngase numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë në këtë Klinikë po vazhdon të rritet.

Lajmin për e ka konfirmuar pulmologu në Klinikën e Pulmologjisë, Besim Morina.

Morina ka thënë se në këtë Klinikë është duke u punuar me limitet e kapacitetet që ka.

Ai madje tha se numri i shtretërve të lirë për të pranuar pacientë të ri, është i vogël.

“Momentalisht po punohet në limitet e kapaciteteve të Klinikes, si në numrin e shtretërve për pacientë, ashtu edhe për numrin e pulmologëve aktiv. Numri i përgjithshëm varion gjatë ditës pasi gjatë gjithë kohës lirohen dhe pranohen pacientë, por numri i shtretërve të lirë është shumë i vogël”, ka bërë të ditur pulmologu Morina.

Në Klinikën e Pulmologjisë, sipas Morinës, po pranohen vetëm pacientë të infektuar me Covid-19 me gjendje të rëndë shëndetësore, saktësisht pacientë të prekur në mushkëri me pneumoni të rëndë.

“Tani janë të shpeshta edhe rastet kur për periudha të caktuara nuk ka vende të lira. Nga të gjithë pacientët që paraqiten për kontrolle në shërbimin ambulator, vetëm ata me gjendje serioze pranohen, kurse ata me sëmundje të lehte zakonisht lirohen të vazhdojnë trajtimin në shtëpi”, tha Morina.

Pothuajse gati 100 për qind e të infektuarve me Coronavirus, sipas Morinës, janë duke u trajtuar me oksigjen.

Klinika ka nevojë për furnizim të pandërprerë me oksigjen

Mungesa me furnizim të pandërprerë të oksigjenit për pacientët që kanë nevojë për sasi të madhe të tij, po del të jetë një problem tjetër në këtë Klinikë.

“Shumica e pacienteve të shtruar janë në gjendje stabile përveç disa rasteve që kanë gjendje shumë të rëndë. Gati 100% e pacientëve janë duke u trajtuar me oksigjen. Te shumica e këtyre pacientëve kanë nevojë për sasi të mëdha të oksigjenit, gjë që e bën kruciale furnizimin e pandërprerë dhe të mjaftueshëm me oksigjen”, ka bërë ditur për Front Online, Besim Morina.

Përveç tjerash, Klinika e Pulmologjisë në QKUK është duke punuar me kapacitete të kufizuara të infermierëve.

Sipas pulmologut Morina, sfida momentale e kësaj Klinike është shtimi i kapaciteteve të shtretërve dhe shtimi i numrit të mjekëve dhe infermierëve.

6 mjekë e 14 infermiere të infektuar me Coronavirus në Klinkën e Pulmologjisë

Pulmologu Besim Morina thotë për Front Online se në këtë Klinikë tani aktiv janë vetëm 7 pulmologë ngase 6 janë infektuar me Coronavirus,

Ai thotë se aktualisht 14 infermiere të Pulmologjisë janë të prekur me Coronavirus.

“Në situatë jo të mirë Klinika e Pulmologjisë është edhe për arsyen që është duke punuar me një numër të reduktuar të stafit, përkatësisht janë vetëm 7 pulmologë aktiv, ndërsa 6 të tjerë janë të infektuar dhe në vetizolim dhe 3 të tjerë janë liruar për shkak të moshës dhe sëmundjeve kronike. Poashtu janë edhe 14 infermiere të infektuara”, ka përfunduar Morina. /FrontOnline/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme