Të akuzuarit nga BIA dhe MUP-i serb kanë qenë të afërt me Miloviqin dhe roli i tyre ka qenë një lloj mbështetje logjistike, por edhe ruajtja e parave të marra nga kontrabanda e drogës.
Prokuroria serbe për krim të organizuar, më parë ka ngritur një aktakuzë kundër Milloviqit, bashkëshortes së Jovanoviqit, si dhe të pandehurve të tjerë me dyshimin se ishin pjesë e një grupi kriminal që kontrabandonte kokainë nga Ekuadori në Evropë.
Organizatori i grupit kriminal ishte Miloviq, dhe aktakuza përshkruan në detaje se si transportohej droga në qytetet evropiane përmes anijeve transoqeanike.
Ata kishin për detyrë t’i ruanin paratë e Milloviqit, t’i paketonin në thasë me vakum dhe më pas t’i transportonin në Mal të Zi, raporton Telegrafi, transmeton ‘Arbresh.info’.
Megjithatë, ndoshta gjëja më e rëndësishme që ata bënë ishte nxjerrja e informacionit nga bazat e të dhënave konfidenciale të BIA-s.
“Jovanoviq ka mbledhur informacione konfidenciale për hetimet dhe njohuritë operative të disponueshme për anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal dhe aktivitetet e grupeve të tjera kriminale në bazat e të dhënave të BIA-s. Më pas ajo ia dorëzoi atë informacion bashkëshortit të saj, Daniel Jovanoviq, dhe ai ia kaloi Ljubo Miloviqit. Që e akuzuara Dushica Jovanoviq i ka kryer detyrat e cekura del nga provat e mbledhura dhe nga përmbajtja e komunikimeve që bashkëshorti i saj ka kryer me Miloviqin përmes aplikacionit Sky në telefon”, mëson Nova.rs.
Sipas Nova.rs, provat kyçe kundër grupit të organizuar kriminal janë marrë përmes aplikacionit Sky, ku i pandehuri i parë Milloviq figuronte si “oficer”.
Është veçanërisht e rëndësishme në dosjet e rastit kundër këtij grupi që përmendet një mesazh lidhur me vrasjen e liderit politik të serbëve nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, më 16 janar 2018.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se deri më sot nuk është vërtetuar se cilët janë drejtuesit dhe cilët janë zbatuesit e drejtpërdrejtë të likuidimit.
Në mesazhet, në përmbajtjen e të cilave Nova.rs ka pasur qasje, që datojnë në vitin 2020, përmendet vrasja e Oliver Ivanoviqit. Kështu, më 23 janar 2020, polici i akuzuar Jovanoviq ia dërgoi Milloviqit informacionin e dhënë nga gruaja e tij.
“Vëlla, BIA ka filluar seriozisht të bëjë hetime. Ata u bënë prioritet. Disa vëllezër Matkoviq nga Novi Sadi të cilët furnizohen me mall nga një farë Jaka Zaletel nga Sllovenia. Pothuajse të gjithë ikën në Slloveni”, i shkruan Jovanoviq, Miloviçit.
Më pas ai shtoi si vijon: “I vetmi informacion që shkon tek klani i Kavaçit është se një nga anëtarët e klanit është përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Dhe historia thotë se Dedoviq (i vrarë Igor Dedoviq) donte të merrte vetë udhëheqjen e klanit dhe ndërtoi një ekip rreth tij brenda klanit”.
“Këtë e ka BIA aktualisht”, thuhet në mesazhe.
Nga mesazhet e përgjuara të Sky, mund të konstatohet qartë se BIA ka informacione të caktuara për vrasjen e Ivanoviqit në janar 2018, dhe kjo nuk është hera e parë që Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit përmendet në kontekstin e vrasjes së një politikani.
Është interesant fakti se vetë Ivanoviqi, para vrasjes, i ka raportuar BIA-s njohuritë e tij se kush e kërcënon, e megjithatë, krimi nuk është parandaluar, e as siç duket nuk i është caktuar shoqërimi.
Edhe pse procedurat për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë duke vazhduar para Gjykatës së Prishtinës, informacionet për vetë krimin dhe autorët janë ende të pakta.
Ivanoviq u vra me gjashtë të plumba në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara akuzohen për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, ndërsa Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në anën tjetër, ‘biznesmenët’ kontrovers nga Kosova, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, u akuzuan si drejtues të grupit kriminal përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit. Ndaj tyre, megjithatë, nuk u ngritën akuza, pasi ato nuk janë në dispozicion të organeve, pra nuk janë dëgjuar asnjëherë.
Thirrje për linçim
etëm pak muaj para vrasjes së Oliver Ivanoviçit në 2018, fillimisht në TV Most, e më pas në Pink, u transmetua një video propagandistike me pagesë, në të cilën Ivanoviç përshkruhet si “një njeri që nuk qan për njerëzit e vrarë, por për makinën e tij”.
Videoja ishte pika kryesore e linçimit mediatik që u publikua për shkak se Ivanoviç vendosi të kandidojë për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, dhe ajo video u etiketua si vizatimi i një objektivi në ballin e Ivanoviqit.
Informacioni është duke u shqyrtuar
Prokuroria për Krim të Organizuar është duke i kontrolluar informacionet lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe lidhjen me klanin Kavak. Deri më tani nuk dihet se deri ku ka arritur, si dhe nëse është marrë në pyetje dikush ndërkohë.