Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka përmbledhur në një botim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi.
Para se të dalin në formë të printuar, ASHAK-u e ka nxjerrë tashmë botimin në ueb-in zyrtar, në të cilin mund të kenë qasje të gjithë të të interesuarit.
ASHAK-u insiston se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i hapur dhe transparent, pasi adreson qartas përgjegjësinë individuale dhe institucionale të pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces, në përputhje me rëndësinë që ka ky dialog për të ardhmen e vendit.
Dialogu Kosovë-Serbi në dhjetë vjetët e shkuara ka pësuar devijime të rënda, duke e vendosur Kosovën në pozita inferiore dhe duke shkelur bazën e saj kushtetuese, me idenë se konstruktiviteti do të shpërblehet në cakun e fundit.
Deri tashti qëndrimi konstruktiv i Kosovës është interpretuar si gatishmëri për të bërë kompromise të paqëndrueshme, madje të tilla që lëndojnë rëndë shtetësinë e Kosovës dhe funksionimin e shtetit në tërë territorin e tij, thuhet në komunikatë.
Përveç mungesës së një platforme dialoguese në formën e një konsensusi politik gjithëpërfshirës dhe të përbashkët, deri më tani në procesin e udhëheqjes dhe të bartjes së dialogut janë përfshirë individë që shpesh nuk kanë reflektuar përgjegjësi institucionale dhe integritet personal politik dhe moral, duke i projektuar marrëveshjet me Serbinë si atribute të karrierës së tyre ose të kompromiseve dobiprurëse për kredibilitetin e tyre politik. Në marrëveshjet dhe dialogun me Serbinë, për interesa krejtësisht joinstitucionale, janë projektuar interesa partiake, biznesore private dhe oligarkike për individë dhe grupe individësh, të cilët kërkojnë që Kosova të sakrifikojë subjektivitetin shtetëror dhe pozitën e saj ndërkombëtare për favore politike dhe pushtet-mbajtëse, thuhet më tej në komunikatë.
ASHAK thotë se trysnia ndërkombëtare për përshpejtimin e dialogut, përfshirë edhe një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, është interpretuar si gatishmëri e Kosovës për kompromise që tejkalojnë të gjitha limitet kushtetuese.
Lojaliteti i Kosovës ndaj mbështetësve ndërkombëtarë është interpretuar nga Serbia dhe nga një pjesë e faktorit të jashtëm si gatishmëri për të bërë kompromise me pavarësinë dhe territorin e Kosovës.
Në diskutimin ndërkombëtar, për shkak të gatishmërisë për kompromise të këtilla, janë hapur tema tashmë të përfunduara më 17 shkurt 2008, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, thekson ASHAK-u.
Me botimin dhe publikimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, ASHAK-u synon të tërheqë vërejtjen se gabimet e deritashme në marrëveshje dhe dialog nuk mund të përsëriten në të ardhmen dhe se dialogu i pritshëm e ka të vetmen bazë në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
ASHAK-u në të ardhmen do ta monitorojë nga afër procesin e dialogut dhe do t’i diskutojë në tribuna të hapura të gjitha marrëveshjet që do të arrihen me Serbinë, për ta instaluar një kulturë të llogaridhënies, e cila i ka munguar Kosovës dhe demokracisë së saj ende të brishtë dhe të lënduar nga veprime të papërgjegjshme të klasës sonë politike.
https://www.ashak.org/repository/docs/Dialogu_Serbi-Kosove_WEB_Reduced_488067.pdf
Kurti dhe Nagavci vendosin gurthemelin e çerdhes në Rekë-Vat...
83 mijë metra katror banesa për të pastrehët në Tiranë
Qytetarët në Shkup sërish protestojnë kundër ndotjes së ajri...
Më shumë investime në shëndetësi, Balluku: Rritje të pagave ...
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...
22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të...