Google ADS

Pse një fëmijë priret të bëhet bullist dhe si t’i kuptoni shenjat paralajmëruese

09:38 | 18 Mars 2017
Arbresh.info

Përse një fëmijë priret të bëhet bullist?

Kjo është një pyetje e cila nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë. Njerëz të ndryshëm dhunojnë për arsye të ndryshme dhe disa dhunojnë më shumë se të tjerët. Disa dhunojnë sepse janë të pakënaqur me veten dhe mendojnë se duke i bërë edhe të tjerët të ndihen keq, kjo do t’u sjellë kënaqësi. Disa të tjerë dhunojnë sepse kanë një nevojë të vazhdueshme për t’u treguar të tjerëve se kush drejton. Të tjerë dhunojnë sepse e kanë perceptuar dhunën si të vetmen formë që siguron mbijetesën në mjedisin kaotik social ku jetojnë. Shpesh, për fatin tone të keq, disa fëmijë dhunojnë sepse familjet ku jetojnë, janë tolerante ndaj dhunës ose më keq akoma, i gëzohen të qenit zot të vetes (edhe pse e bëjnë në mënyra shpeshherë të stërholluara dhe duke u përpjekur që të mos bien në sy të vetë fëmijës). Shkollat vlerësohen si mjedisi ideal për bullizmin. Ato janë institucione hierarkike, si përsa i përket statusit të stafit, ashtu edhe të nxënësve. Shkollat funksionojnë në bazë të dinamikave dhe fuqive të ndryshme. Sipas Lines (2008), nxënësit i shquajnë lojërat e forcës që zhvillohen midis anëtarëve të stafit në shkollë dhe i brendësojnë ato në një masë të caktuar ose të paktën, i reflektojnë ato në sjelljet e tyre ndërpersonale.

A mund të dallosh nëse një fëmijë është bullist?

Sikur të ishte kaq e lehtë! Duke qenë se arsyet apo rrethanat që provokojnë dhe mbajnë sjelljen bulliste janë kaq të shumta sa ne i përmendëm (në fakt listimi i plotë i tyre do të kërkonte një hapësirë shumë më të madhe), është e vështirë të konfirmosh dyshimin nëse një fëmijë është bullist apo viktimë e bullizmit. Gjithsesi, edhe fakti se tek ne kanë lindur dyshime për praninë e një skeme bullizmi, ky është një ogur i mirë, pasi ne e njohim rëndësinë e sinjaleve që jep fëmija. Përgjithësisht, fëmijët që tregojnë sjellje bulliste kanë një vlerësim shumë të lartë për veten, ndryshe nga ç’mund të mendojnë disa njerëz. Mendimi i gabuar vjen pikërisht për shkak të faktit se pjesa më e madhe e bullistëve janë nxënës me pak interes për shkollën dhe me një performancë të ulët mësimore. Këta fëmijë dhe të rinj, gjithashtu presin që gjithë të tjerët të përmbushin kërkesat e tyre dhe për më tepër, t’i kenë frikë. Këta fëmijë, në përgjithësi nuk mendojnë se sa keq u bën të tjerëve dhuna e ushtruar prej tyre ose edhe në rast se e mendojnë, kjo gjë u jep kënaqësi. Sidoqoftë, sjelljet bulliste janë tregues të faktit se ata që e ushtrojnë bullizmin nuk dinë të kontrollojnë dhe të menaxhojnë agresivitetin e tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme