Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.
Në Kosovë njerëzit akoma nuk mund të flasin hapur lidhur me këtë çështje.
Psikologia, Elmedina Shaqiri-Vllasi thotë se jo vetëm në Kosovës, por edhe në shtetet e rajonit ekziston ende tabuja që të flasim hapur për problemet me shëndetin mendor
“Shëndeti mendor nënkupton mirëqenien tonë psikologjike, sociale dhe emocionale dhe ndikon mënyrën se si sillemi, se si mendojmë dhe si ndjejmë. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e rajonit ekziston ende tabuja që të flasim hapur për problemet me shëndetin mendor. Pavarësisht fakteve të rritjes të personave me probleme në shëndetin mendor, njerëzit ende hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale për shkak të stigmës rreth rolit të psikologut”, tha ajo.
Sipas saj të flasësh për problemet në shëndetin mendor është e rëndësishme si për individin, po ashtu edhe për rrethin shoqëror.
E pyetur nga Arbresh.info se a ka mjaftueshëm hapësirë ose çfarë duhet të bëhet më shumë për njerëzit me probleme me shëndetin mendor që ata të ndihen më të sigurt të flasin për këto probleme, Vllasi shprehet se janë mbajtur dhe vazhdojnë të mbahen fushata senzibiluese dhe evente të ndryshme të cilat kanë për qëllim vetëdijësimin e njerëzve që të flasin hapur për problemet në aspektin e shëndetit mendor
“Patjetër që ka hapësire të ndihmohen personat me probleme me shëndetin mendor. Janë mbajtur dhe vazhdojnë të mbahen fushata senzibiluese dhe evente të ndryshme të cilat kanë për qëllim vetëdijësimin e njerëzve që të flasin hapur për problemet në aspektin e shëndetit mendor. Së pari nuk duhet të ndikohen nga paragjykimi që i përcjell nga rrethi shoqëror, përkundrazi problemet e tyre mund të ndihmojnë dikënd që po kalojnë të njëjtin problem dhe të jenë inspirim për shumë persona të tjerë të cilët hezitojnë të flasin për to. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik, për shembull nëse kemi dhimbje fizike, menjëherë kërkojmë mjekun adekuat të fushës që të na ndihmojë të tejkalojmë atë problem, atëherë edhe stresi, depresioni, ankthi apo çfarëdo problem tjetër që lidhet me fushën e shëndetit mendor janë probleme të cilat vijnë si pasojë e rrethanave dhe ndikimit të ambientit të jashtëm që kanë nevojë për trajtimin e nevojshëm nga ekspertët e fushës të shëndetit mendor”, shprehet ajo.
Hasim shpesh tek të rinjtë me këtë problem, a mendoni se mund të ketë faj familja, që ai ose ajo të ndjehet i ndrojtur të flas për problemet, apo si shoqëri nuk jemi të hapur aq sa duhet?
Por kush ka “faj” sipas saj që një person me probleme të shëndeti mendor nuk mund të flas hapur, Vllasi thotë se kjo çështje vazhdon të jetë një temë diskutimi në shoqërinë tonë, a ndikon familja apo shoqëria.
“Mjedisi ku rritemi ka shumë rëndësi se si formësohemi si individ. Se ku qëndron problemi që shumë të rijnë nuk flasin për probleme në fushën e shëndetit mendor, vazhdon të jetë një temë diskutimi në shoqërinë tonë, a ndikon familja apo shoqëria? Kuptohet që fillesat e para të informacioneve i marrim nga familja, e pastaj nga rrethi shoqëror”, theksoi ajo.
Krejt në fund Vllasi shton se pavarësisht angazhimit maksimal nga profesionistët e shëndetit mendor për vetëdijesimin e shoqërisë rreth shëndetit mendor, ka nevojë ende që të ngrisim zërin dhe t’i rrëzojmë këto barriera të cilat ekzistojnë ndër vite.
“Paragjykimi, stigma dhe diskriminimi janë qëndrime të cilat vazhdojnë të na përcjellin si shoqëri jo vetëm në këtë aspekt, por në shumë aspekte tjera. Në shumë hulumtime të fundit rreth shëndetit mendor është shqetësues fakti se në shumicën prej tyre rezulton niveli i ulët i vetëbesimit dhe vetëvlerësimit tek shumë individë, e cila mund të jetë një nga arsyet për mosshprehjen e ndjenjave, emocioneve, vështirësive etj. Gjithashtu mendoj se arsyeja e hezitimit qëndron edhe te ‘’mitet’’ për personat që kanë probleme apo vështirësi në tejkalimin e problemeve në shëndetin mendor, të cilët i cilësojnë si të dhunshëm, të rrezikshëm apo të paqëndrueshëm. Pavarësisht angazhimit maksimal nga profesionistët e shëndetit mendor për vetëdijesimin e shoqërisë rreth shëndetit mendor, ka nevojë ende që të ngrisim zërin dhe t’i rrëzojmë këto barriera të cilat ekzistojnë ndër vite”, përfundoi ajo.
Kurse psikologu, Rron Kastrati thotë se njerëzit e kanë të vështirë t’i rrëfejnë këto probleme përshkak të pasigurisë së tyre emocionale.
“Shëndeti mendor fillimisht është një fushë shumë e zgjeruar e studimeve empirike mbi gjendjen psikike të njerëzve të cilët kanë probleme të theksuara episodike ose shqetësueses, të karakterit emocional. Njerëzit e kanë të vështirë t’i rrëfejnë këto probleme për shkak të pasigurisë së tyre emocionale”, tha ai për Arbresh.info
Ai thekson se psikologët në gjithë botën, punojnë sipas një parimi, e që është ruajtja e informacionit të ndarë të klientit, duke shtuar se edhe në Kosovë së fundmi janë fuqizuar fushatat vetëdijësuese për rolin e psikologut në shoqëri.
“E kontestojnë se mbase shqetësimet që i rrëfejnë mund të ruhen, mund të mbrohen apo në disa raste a mund të cenohen. Njerëzit në Kosovë aktualisht kanë arritur ta shpërbëjnë këtë pikmatizim sepse janë fuqizuar fushatat sensibilizuese apo vetëdijësuese për rolin e psikologut në shoqëri”, u shpreh Kastrati.
Ai shton se psikologu vazhdon të jetë komponenti kryesor në ofrimin e shërbimeve për t’i rehabilituar të gjitha fenomenet e papërshtatshme.
“Të shpeshta janë çrregullimet e ankthit, depresioni, fobitë e ndryshme. Prandaj psikologu vazhdon të jetë komponenti kryesor në ofrimin e shërbimeve cilësorë për t’i rehabilituar të gjitha fenomenet e pa përshtatshme që ndikojnë në tersi ose në jetën shoqërore në përgjithësi”, pohoi ai.
Hasim shpesh që personat që kanë probleme të tilla, nuk kanë përkrahjen nga familja për të folur hapur, sipas Kastratit, jo vetëm familja por edhe shumë faktorë të tjerë ndikojnë në shëndetin mendor.
“Jo vetëm familja por edhe ndikimi socio- kulturor, mentaliteti tradicional që nëse shkon të psikologu je anormal, ose je krejtësisht i çmendur, ti nuk mund të bësh një jetë të shëndetshme, të gjitha këto janë propaganda dhe nuk kanë vërtetësi shkencore, madje mund të shkaktojnë probleme të mëdha në hezitimin e tek të rinjtë”, shtoi Katrati.
Për t’ju ikur këtyre, sipas Kastratit të rinjtë zgjedhin rrugë të tjera për t’i paraqitur problemet që ata kanë.
“Edhe kështu që çfarë bëjnë të rinjtë, ata zgjedhin rrugë të tjera për t’i ikur këtyre problemeve. Në grupe në kushte anonime vetëm e vetëm që të mos etiketohen të gjitha këto paraqesin probleme të zgjeruar në mjedisin jetësor”, përfundoi ai.
Instituti i Shëndetit Publik thotë se synimi kryesor i kësaj ditë është sigurim i një komuniteti i cili kupton, pranon, por edhe luan rol aktiv në krijimin e një shoqërie që gëzon shëndet mendor.
Si për çdo vit tjetër, edhe këtë vit në Kosovë, u mbajtën aktivitete të ndryshme.
Këto organizime kanë për qëllim ndërgjegjësimit tek të gjithë njerëzit.
Personat që jetojnë me probleme të shëndetit mendor kanë nevojë për mbështetje, duke filluar nga familja, stafi shëndetësor, komuniteti dhe e gjithë shoqëria./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Të shtëna me armë në Prishtinë, arrestohet një person
Ngritët aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë
Berisha ka dy kërkesa para mbledhjes së përbashkët të kuvend...
Beogradi ia refuzon hyrjen në Preshevë ministrit Hajrullah Ç...
Policia zhvilloi 460 ligjërata në shkollat e Prishtinës gjat...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%