Vendet që e nënshkruajnë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kur anëtarësohen në Këshillin e Evropës, zotohen për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individëve, për sundim të ligjit dhe për demokraci.
Nga anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare përfitojnë edhe minoritetet e një shteti.
Kështu pohon edhe Sofija Todoroviq, nga zyra e Nismës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR) në Beograd.
“Shtohet mundësia për mbrojtje, sikurse mundësia që [ato] t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si mekanizëm ligjor”, thotë ajo.
Inkuadrimi i Kosovës në këtë trup është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këtë tokë ishte konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në majin e vitit 2016, por autoritetet përgjegjëse nuk e zbatonin vendimin.
Çfarë është Këshilli i Evropës?
Këshilli i Evropës – ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim më 2022 – është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.
Me raste, vendet duhet t’i ndryshojnë ligjet e tyre, apo të bëjnë çfarëdo ndryshimesh tjera, në mënyrë që një shkelje e evidentuar të mos përsëritet më.
Todoroviq thotë se Rusia ka qenë ndër vendet e vetme që nuk i ka respektuar vendimet e Këshillit – por ajo nuk është më pjesë e tij.
Rëndësia e anëtarësimit për minoritetet
Në disa raporte të përpiluara për Kosovën, në fushën e të drejtave të njeriut, krahas problemeve si korrupsioni dhe dhuna me bazë gjinore, si sfiduese janë përmendur edhe rastet e kërcënimeve ndaj minoriteteve etnike dhe grupeve të tjera të margjinalizuara.
Së fundi, edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se njëra nga arsyet e problemeve në komunikim ndërmjet Qeverisë së SHBA-së dhe asaj të Kosovës është trajtimi i minoriteteve.
Sipas regjistrimit të popullsisë, i kryer për herë të fundit më 2011, 91 për qind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, 3.4 për qind janë serbë, ndërsa 5.6 përqindëshi tjetër përbëhet nga boshnjakët, goranët, turqit, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
Në këtë proces regjistrimi nuk morën pjesë afër 50 mijë serbë që llogaritet se jetojnë në komunat veriore të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në periudhë mes viteve 2010–2023, ky trup i ka pranuar 2.801 ankesa nga qytetarët e Kosovës.
Prej tyre, 247 ankesa u paraqitën nga minoritetet – 167 vetëm nga serbët.
Kur mund t’i drejtohen qytetarët Gjykatës së Strasburgut?
Një person mund të dorëzojë ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin kur personalisht është viktimë e shkeljes së të drejtave.
Shkelja duhet të jetë kryer nga një shtet që ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe ankuesi duhet t’i ketë shfrytëzuar, paraprakisht, të gjitha shkallët e gjykimit, në vendin ku kanë ndodhur shkeljet.
Për çfarë rastesh mund t’i drejtohesh Gjykatës Evropiane?
Todoroviq përmend në veçanti çështjet e shpronësimit.
Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, nuk e përjashton asnjë mundësi.
“Për gjithçka. Të gjitha lëndët e mundshme mund të përfundojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Atëherë kur dikush beson se i janë shkelur të drejtat individuale. Po supozoj, dikush që mendon që është ndëshkuar padrejtësisht”.
Gjykata Kushtetuese i kanë thënë REL-it se, “natyra e kërkesave të parashtruara prej minoriteteve është e ndryshme… nga mbrojtja e së drejtës në pronë, e deri te pretendimet për mohim të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtës në punë dhe mbrojtjes gjyqësore të të drejtave”.
Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se nëse vendet anëtare të Këshillit të Evropës vërtet brengosen për pakicat në Kosovë, atëherë ato duhet ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës.
“Pyetja e vetme për anëtarët e Këshillit të Evropës është se çfarë logjike do të ndjekin. Nëse logjika është mbrojtja e të drejtave të pakicave, përfshirë pakicën serbe në Kosovë, atëherë Kosova duhet të jetë anëtare, sepse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe të gjithë mekanizmat e Këshillit të Evropës do t’i forcojnë të drejtat e njeriut”, është shprehur ai.
A janë vendimet e Gjykatës Evropiane të detyrueshme?
Todoroviq tregon se po.
Shtetet përkatëse janë të obliguara që t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës së Strasburgut, ndonëse kjo e fundit nuk ka mekanizma ndëshkues, në rast se vendimet e saj nuk merren parasysh.
A do ta forconte anëtarësimi sistemin gjyqësor në Kosovë?
Blakaj beson se po, duke e përmendur bashkë me të edhe forcimin e demokracisë.
Përveç promovimit të konventave dhe monitorimit të përparimit, vetë Këshilli bën edhe rekomandime nëpërmjet trupave të ekspertëve.
Pjesë e tij është edhe Komisioni i Venecias, në të cilin Kosova veçse është anëtare.
Ky Komision përbëhet prej ekspertëve kushtetues, të cilët ofrojnë këshilla ligjore për vendet anëtare në fusha si demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...