Lugina e Preshevës garon me dy lista të ndara në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot, në Serbi.
Po të njejtit përfaqësues politik, në zgjedhjet e kaluara parlamentare kishin marrë edhe bekimin e Tiranës dhe Prishtinës duke zbatuar një marrëveshje për pjesëmarrje të një listë të përbashkët dhe unike në nivel qendror.
Të njejtit në këto zgjedhje nuk arritën të gjenin një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët.
Portali arbresh.info tentoi të marrë opinionin e dy bartësve të këtyre listave në lidhje me ecurinë e fushatës dhe rezultatin që presin nga këto zgjedhje, por përkundër interesimit ata nuk ishin të qasshëm në telefon për ndonjë përgjigje të mundshme.
Sipas analistëve, ndarja e shqiptarëve në luginë ulë mundësitë e përfaqësimit më të madh në Parlamentin e Serbisë.
Analisti Gazmir Raci vlerëson se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet që t’i lënë anash inatet personale ditore dhe të shohin se si të bashkuar mund të shtyjnë përpara plotësimin e kushteve dhe kërkesave për jetë të dinjitetshme në Serbi.
“E dimë që shqiptarët atje tash e dy vite ballafaqohen me problemin e pasivizimit të adresave, kjo do të duhej të ishte beteja e shqiptarëve në pjesën e Luginës dhe jo të tekeve të tyre politike”, deklaron Raci për arbresh.info.
Për njohësin tjetër të rrethanave politike, Arton Demhasaj, ndarja e shqiptarëve në luginë mund t’i lë pa asnjë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë.
“Në rast se do të vendosej që të garonin në një Listë gjasat do të ishin maksimale të përfaqësimit në Kuvend. Kur i shohim kështu të ndarë në dy lista lë përshtypjen se kjo krijon një mundësi që votat të shpërndahen dhe sigurisht që kjo mund të ndikojë që shqiptarët e Luginës së Preshevës t’i lë pa përfaqësues në Kuvendin e Serbisë. E shoh si problematike se si s’kanë mundur me u bë bashkë shqiptarët e Luginës për të shkuar në një listë te përbashkët për të pasur një mundësi reale për me u përfaqësu në Kuvend, ashtu siç kanë qenë të përfaqësuar në zgjedhjet e kaluara”, vlerëson Demhasaj.
Garimi i përbashkët sipas Gazmir Racit do t’i ndihmonte në ‘betejën’ për më shumë të drejta të shqiptarëve në luginë.
“Do të duhej më mirë të kishin një listë të përbashkët dhe të mernin më shumë ulëse në Kuvendin e Serbisë dhe betejën e të drejtave dhe lirive themelore ta bëjnë në Parlamentin e Serbisë dhe në mekanizmat ndërkombëtar”, vlerëson Raci.
Problematik e vlerëson bashkëpunimin edhe pas zgjedhjeve Arton Demhasaj. Sipas tij, ata do të duhej të ‘mobilizoheshin’ siç ndodhë me serbët në Kosovë.
“Mundësia më e mire kishte me qenë dalja me një listë të përbashkët duke e parë siç veprojnë edhe serbët në Kosovë ku të gjitha partitë politike serbe në Kosovë janë të bashkuar në një subjekt politik që quhet Lista Serbe, e që kjo në një farë mënyre gjithmonë ua siguron atyre nga 10 deputet në Kuvendin e Kosovës, prandaj shqiptarët e Luginës është dashtë me pas mundësinë e tillë që para zgjedhjeve të bëhen bashkë me një listë për me pas mundësinë me marr pak përfaqësues në Kuvend, e që pastaj përmes Kuvendit të Serbisë me i përfaqësu edhe interesat e komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës”, shprehet Demhasaj.
Lista “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës” e përbërë nga tre parti (PVD, PD dhe LPD) e prirë nga Ragmi Mustafi e Shaip Kamberi dhe koalicioni tjetër, “Alternativa Demokratike Shqiptare” e prirë nga Sami Salihu e Shqiprim Arifi./Artan Maliqi/arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...