Pse Arban Abrashi iu shmang duelit me Shpend Ahmetin?

21:26 | 8 Nëntor 2017
M. A.

Sonte në emisionin “Duel D”, të RTV Dukagjini, është dashur të përballen kandidatët për të parin e Prishtinës, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), por kandidati i LDK-së ka hequr dorë nga debati.

Përkundër kësaj udhëheqësi i emisionit “Duel D”, Arben Ahmeti, ka realizuar bisedën me kandidatin e VV-së, Shpend Ahmetin, por ka dhënë sqarime lidhur me mungesën e Abrashit në debat.

Ai tha se RTV Dukagjini menjëherë pas raundit të parë u ka dërguar të gjitha shtabeve zgjedhore planin për debatet që do të zhvillohen në kuadër të “Duel D”, pra edhe LDK-së dhe VV-së dhe debati për Prishtinë ka qenë i planifikuar për sonte, por kandidati i këtij subjekti politik nuk do të jetë në debat.

“Kemi treguar se nuk mund të bëjmë ndërrim në orarin e debateve. Kemi kërkuar nga partitë që të na mirëkuptojnë dhe kemi treguar se në qoftë se kandidati i tyre nuk paraqitet në studio, ne do ta zhvillojmë debatin me kandidatin që është prezent”, tha Arben Ahmeti.

Udhëheqësi i emisionit tha se në tri ditët e fundit kanë qenë në kontakt me shtabin e kandidatit por jo me Abrashin.

“Ata kanë kërkuar që në pesë ditët e fushatës do të marrin pjesë në pesë televizione”, tha Arben Ahmeti, duke konfirmuar se Abrashi nuk do të marre pjesë në duel.

Ndryshe, Shtabi Zgjedhor i LDK-së ka njofttuar se paralajmërimi i publikuar për debatin televiziv në RTV Dukagjini është bërë pa pëlqimin e tyre.

 

https://dukagjini.gjirafa.com/?video=pse-arban-abrashi-iu-shmang-duelit-ne-tv-dukagjini

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme