Google ADS

PSD refuzon ekipin negociator të Haradinajt

20:32 | 3 Shtator 2018
Arbresh.info

Partia Social Demokrate tha sonte se deputetët e saj nuk do të jenë pjesë e seancës së jashtëzakonshme që është thirrur për nesër në orën 09:00, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një deklaratë, pak minuta pasi Kuvendi e thirri këtë seancë, PSD tha se ekipi negociator i formuar sot nga Qeveria e që do të diskutohet nesër në Kuvend ”nuk ka asnjë kuptim tjetër përveç se të ndërhyjë në një proces vendimmarrjeje që është përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Republikës, e përmes të cilit për një kohë të gjatë është mëtuar të arrihet vendimmarrje konsensuale karshi një procesi kaq të rëndësishëm e të ndjeshëm siç dialogu me Serbinë”.

“Ekipi i sotëm i emëruar nga Qeveria nuk është asgjë përveç se patericë aventurave të dëmshme e të rrezikshme të Presidentit Hashim Thaçi, i cili po insiston vazhdimisht që të jetë në krye të dialogut pa marrë parasysh refuzimin kategorik të pjesës më të madhe të të zgjedhurve të popullit e shoqërisë civile karshi tij dhe qëllimeve të tij”, thuhet në deklaratë.

Partia Socialdemokrate tha se që për një proces kuptimplotë negociator duhet të përcaktohen shtyllat që e përkufizojnë përmbajtjen dhe qëllimin që duhet ta ketë ky proces. Fillimisht, që ky proces të ketë legjitimitet, duhet dakordim i gjitha partive parlamentare të Kuvendi të jetë përgjegjësi kryesor për këtë proces, si organi më i lartë legjislativ i Republikës.

Së dyti, sipas PSD’së, është domosdoshmëri që me votë të kualifikuar (2/3 e Kuvendit), të miratohet Platforma Shtetërore për Dialogun, që nënkupton pozicionin shtetëror të Republikës së Kosovës në dialog.

Së treti, po më votë të kualifikuar, do të duhej që të mandatohej Ekipi Negociator, ekip të cilin Kuvendi do të mund ta shkarkonte në rast se do të shkelej Platforma. Dhe së katërti, do të duhej që nga Kuvendi të themelohej një Komision i veçantë që mbikëqyrë gjithë ecurinë e këtij procesi.

“Në përputhje me këtë, PSD vlerëson që Republika e Kosovës nuk mund të përfaqësohet nga ky ekip negociator në një proces aq të rëndësishëm. Sikurse as presidenti Thaçi, as ky ekip nuk e shpreh koncensusin nacional për këtë çështje”, tha PSD.

“PSD qartëson po ashtu se merr pjesë në seancën e organizuar në koordinim nga tre partitë opozitare, por jo në seancat e thirrura me nguti nga pushteti për të legjitimuar cenimin që qeveria po tenton t’ia bëjë institucionit më të lartë vendimmarrës në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme