Ka pothuajse një vit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ‘paralizuar’.
E tek në fund të 2018-ës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka kërkuar partive politike të bëjnë propozimin e anëtarëve të rinj për KQZ-në.
Por, këtu filluan problemet. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, të cilat në zgjidhjet nacionale të qershorit të 2017-ës janë radhitur e dyta dhe e treta, kanë kundërshtuar që të kenë vetëm nga një anëtar në KQZ.
Ata madje e kanë quajtur antikushtues këtë vendim.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu ka thënë për arbresh.info se kjo ngatërrese erdhi pas ndarjes së Vetëvendosjes.
“Kjo situatë e krijuar pas zgjedhjeve të qershorit, ka krijuar problem për Presidencë për shkak se janë nda në dy pjesë Vetëvendosje dhe duket se Presidenca ka dilemë që ta caktoj një vend sepse edhe LDK dhe VV kërkojnë nga dy vende e jo nga një”, ka thënë ai.
Baraliu ka shtuar se për këtë çështje nuk ka gjetur zgjidhje as Gjykata Kushtetuese.
“Çështja është dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe ka krijuar përsëri paqartësi sepse nuk e ka pranuar për ta trajtuar kërkesën e presidentit dhe jemi në një situatë e paqartë, e pasqaruar sa duhet por të shohim se si do të veproj presidenca dhe partitë politike”, ka shtuar ai.
Ai ka treguar edhe procedurën pas propozimit të anëtarëve.
“Subjektet politike japin propozimet e tyre, propozimet shkojnë në Kuvend dhe miratohet pastaj shkojnë te Presidenti, konfirmohen dhe emërohen”, ka përfunduar ai.
Ndërsa Valmir Ismaili nga organizata joqeveritare “Demokraci plus” ka thënë për arbresh.info se ankesat e LDK-se dhe VV-se janë legjitime.
“Ankesat e LDK-së dhe Vetëvendosjes janë legjitime për faktin se këtyre dy subjekteve politike ju takojnë nga dy anëtarë të KQZ-së. Presidenti Thaçi qëllimshëm e ka shtyrë deri më tani emërimin e anëtarëve të KQZ-së dhe nëse ai vendos që të bëjë emërimin e anëtarëve në kundërshtim me sqarimet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese në rastin Nr. KOU9/14ai do të bëjë shkelje kushtetuese”, ka thënë ai.
Ismaili ka thënë se LDK dhe VV duhet të kenë nga dy anëtarë ndërsa PAN dy të tjerë.
“Përbërja e KQZ-së duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e vendit, prandaj përbërja e re duhet të jetë si në vijim: dy (2) anëtarë duhet të kenë LDK dhe Vetëvendosje, dy (2) anëtarë koalicioni PAN, katër (4) nga grupet parlamentare që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, dhe kryetarja e KQZ-së që vjen nga Gjykata Supreme”, ka shtuar ai.
Ai po ashtu ka ngritur dyshimet se kjo mund të jetë marrëveshje e PSD-së dhe pozitës.
“Vonesat në emërim të anëtarëve të KQZ janë bërë për shkak të koalicionit PAN, por tani në matematikë ka hyrë edhe PSD, sepse nuk ka logjikë që t’a zëmë të ketë anëtar në KQZ NISMA e mos të ketë anëtar PSD-ja duke e ditur fuqinë parlamentare të këtyre të dyjave. Tani nuk dihet nëse PSD do të fitoj një post thjeshtë për shkak se Presidenti ka vendosur që secilit grup parlamentar (gjashtë prej tyre) nga një anëtar, apo kjo edhe ka qenë pjesë e ndonjë marrëveshje në mes të PSD dhe partive në pushtet. Në cilindo rast, nëse ndarja e vendeve në KQZ bëhet sipas asaj që po qarkullon në media, atëherë kjo përbërje është jo-kushtetuese dhe paraqet precedent të rrezikshëm”, ka përfunduar Ismaili.
Reagojnë LDK dhe VV
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për medie ka thënë se ndarjen e vendeve në KQZ e rregullon Kushtetuta e jo presidenti.
“Sido që të jetë, Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se, çështjen e ndarjes së vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka rregulluar qartësisht Kushtetuta e vendit dhe kjo çështje në asnjë rast nuk mund të trajtohet si çështje e vullnetit të dikujt për përcaktimin e numrit dhe vendeve të subjekteve politike në KQZ, madje as e presidentit”, thuhet në komunikatë.
LDK ka shtuar se 6 vendet në KQZ duhet të ndahen mes koalicionit PAN, Vetëvendosjes dhe koalicionit të LDK-së.
“Andaj, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, konform dispozitave përkatëse kushtetuese e ligjore dhe në frymën e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese rreth grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës (Rasti Nr. KOU9/14), Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duhet të ndahen në mes të tri subjekteve politike të cilat si të tilla kanë dalë nga zgjedhjet: koalicioni PAN, partia Vetëvendosje dhe koalicioni të cilin e përfaqëson LDK”, thuhet më tej në komunikatën e LDK-së.
Edhe Vetëvendosje ka konsideruar se veç shkeljes në vonesë të emërimit Thaçi ka bërë shkelje edhe me këtë kërkesë.
“Presidenti Hashim Thaçi, shkeljen kushtetuese mbi njëvjeçare po e mbulon me shkelje të radhës. Roli i Presidentit është i kufizuar në konfirmimin e nominimeve kushtetuese të subjekteve politike që kanë marr pjesë në zgjedhjet e fundit, e kurrsesi të bëjë emërim mbi afërsi partiake të anëtarëve të KQZ-së mbi pazare politike e interesa personale”, thuhet në reagimin e VV-së.
Ndërsa edhe VV konsideron se ky është ‘shpërblim’ i Thaçit për shërbimet e kryera nga PSD, AAK e Nisma.
“Përpjekja për të përdorur institucionet kushtetuese, siç është KQZ për të paguar shërbimet dhe nënshtrimin e PSD-së, AAK-së dhe NISMA-s ndaj Thaçit, janë të papranueshme dhe paralajmërim i thellimit dhe zgjerimit të kapësve e të kapjes së shtetit”, thuhet më tej në reagimin e Vetëvendosjes.
Ndryshe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte adresuar në Kushtetuese kërkesën për interpretim të vendeve në KQZ që i takojnë secilit subjekt politik.
Ndërsa Gjykata e kishte konsideruar si të papranueshme këtë kërkesë.
“Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata përfundoi se kërkesa është e papranueshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës./Arbresh.info/
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...