Partia Socialdemokrate ka përshëndetur zhvillimin e Samitit të Bashkimit Evropian – Ballkan Perëndimor që do të zhvillohet nesër në Sofje. Sipas kësaj partie, ky samit, i pari i këtij lloji 15 vite pas samitit te Selanikut, është gjithashtu testi i parë serioz drejt realizimit të perspektivës së besueshme të zgjerimit dhe të thellimit të angazhimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor për të cilat u angazhua Komisioni Evropian në strategjinë e re për zgjerim.
Sipas PSD-së dialogu i dështuar në mes Kosovës dhe Serbisë është para se gjithash, rezultat i keqpërdorimit dhe i keqorientimit nga ana e kapësve të shtetit në Prishtinë dhe Beograd.
Gjithashtu është theksuar se Samiti i Sofjes duhet të dërgojë sinjalin e qartë se shteti i së drejtës është gurthemeli i politikës së zgjerimit dhe se kapja e shtetit nuk ka vend në Bashkimin Evropian
Komunikata e plotë:
Partia Socialdemokrate përshëndet zhvillimin e Samitit Bashkim Evropian – Ballkan Perëndimor që do të zhvillohet nesër në Sofje. Ky samit, i pari i këtij lloji 15 vite pas samitit te Selanikut, është gjithashtu testi i parë serioz drejt realizimit të perspektivës së besueshme të zgjerimit dhe të thellimit të angazhimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor për të cilat u angazhua Komisioni Evropian në strategjinë e re për zgjerim.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet jo vetëm nevojë, por edhe garancë për paqen e zhvillimin rajonal dhe kontinental. Ky samit duhet të shërbejë si pikënisje për transformimin e gjithëmbarshëm politik, ekonomik dhe shoqëror të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që gabimet e së kaluarës së përgjakshme të mos përësitën dhe sfidat e së ardhmes të adresohen bashkarisht me Bashkimin Evropian, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.
Kjo nënkupton ndryshim rrënjësor në qasjen e vet Bashkimit Evropian, i cili duhet të thyej status quo-në e trajtimit të temava ekskluzivisht konsensuale siç janë infrastruktura apo rinia, për të adresuar edhe temat politike dhe ato potencialisht kontestuese siç janë kapja e shtetit apo trajtimi i diferencuar i shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Dialogu i dështuar i Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë është para së gjithash rezultat i keqpërdorimit dhe i keqorientimit të tij nga ana e kapësve të shtetit në Prishtinë dhe në Beograd, të cilët e kanë përdorur atë në shërbim të ruajtjes së pushtetit të tyre autoritar. Partia Socialdemokrate konsideron se ky dialog duhet të rimendohet dhe të përfshihet në kuadër të strategjisë së re për zgjerim, duke kushtëzuar negociatat për anëtarësim të shteteve të Ballkanit Perëndimor me njohjen e pavarësisë së Kosovës, e dëshmuar tashmë si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Sovranizimi i Republikës së Kosovës është edhe interes gjeopolitik për ndërtimin dhe konsolidimin e një Evrope të bashkuar, kohezive, sociale dhe funksionale.
Duke qenë më eurofilët e rajonit, qytetarët e Republikës së Kosovës janë sot njëkohësisht të vetmit në rajon që nuk e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian. Mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën ka ndëshkuar qytetarët e saj, e jo politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar të Republikës sonë. Këtij izolimi duhet t’i jepet fund sa më parë, pavarësisht qëndrimeve të shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian karshi pavarësisë së Kosovës.
Në fund, në një kohë kur Bashkimi Evropian po përballët me sfida të brendshme në sundimin e ligjit, Samiti i Sofjes duhet të dërgojë sinjalin e qartë se shteti i së drejtës është gurthemeli i politikës së zgjerimit dhe se kapja e shtetit nuk ka vend në Bashkimin Evropian. Për vet Bashkimin Evropian, kjo kërkon braktisje të qasjes së fokusuar në elita për të përkrahur të gjitha forcat demokratike të shoqërisë, përtej ekzekutivit, si kusht kryesor për rivendosjen e mekanizmave të kontrollit demokratik që do të mundësojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...