PSD-ja: Molliqaj u arrestua jashtëligjshëm me urdhra nga lart, do të ankohemi në IPK

14:52 | 17 Qershor 2022
arbresh.info

Frashër Krasniqi, nga Partia Social demokrate ka paralajmëruar se do të dërgojnë në Inspektoratin Policor të Kosovës një denoncim për policët që arrestuan liderin, Dardan Molliqaj dhe aktivistët e PSD-së, pasi sipas tij arrestimi i të parit u bë jashtëligjshëm, e në arrestimet tjera u përdor dhunë.

“Prej 1 qershorit ka pasë urdhërarrest dhe u aktivizu një ditë para protestës së veteranëve. U shpërfillë urdhri i gjykatës se u dashtë me u arrëstu prej 8-ve deri në 16:00. Kur i pyetëm pse, na thanë kemi pasë presion prej nalt”, deklaroi Krasniqi.

Në një konferencë për medie ai prezantoi një video përmes së cilës tregon se si u lënduan aktivistët.

“Policia e ka goditur me grusht aktivistin. Një krah i është lëndu një personi, dhe ka raport mjekësor, dhe i është vendosur këmba në qafë dy aktivistëve. Pse e arrestuan dhe e lëshuan pas tri orësh. Vetëm për pompozitet dhe me tregu se na kollemi këtu. I kanë dërgu vetëm civilët, sepse po duket shumë brutale kur po vijnë me uniforma. Me ta qit policing si bandit. Rastin do ta denoncojmë në Inspektoratin Policorë ndaj policëve që dhunuan aktivistët”, deklaroi Krasniqi.

Policia e Kosovës bazuar në urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë,  në orët e pasdites, të enjten, në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ka arrestuar Molliqajn, i cili ishte në kërkim.

Njësitet policore, po ashtu kanë arrestuar edhe tre aktivistë tjerë të PSD-së, përfshirë Frashër Krasniqin, të cilët sipas policisë “kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, të cilët kanë tentuar t’u pamundësojnë zyrtarëve policorë zbatimin e urdhër arrestit”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme