Proteston Sindikata e Filharmonisë, kërkon nga MKRS barazi mes muzikantëve

21:52 | 6 Nëntor 2023
E.G

Para Ministrisë së Kulturës sot protestuan sindikalistë të Filarmonisë së Kosovës, të cilët kërkuan ndalimin, siç thanë, të diskriminimit dhe pabarazisë me pjesën tjetër të muzikantëve.

Protesta e tyre nisi me një perforancë artistike. Solisti Shaban Behramaj, i cili është përfaqësuesi i Sindikatës së Filharmonisë, ka thënë që tash e tre muaj po përballen me, siç thotë ai, diskriminim.

“Tash e 3 muaj ka ndodhur një diskriminim brenda institucionit. Ashtu siç e kemi cekur në deklaratat tona publike, anëtarët të cilët kryejnë punën e njëjtë me të njëjtat përgjegjësi dhe kanë të njëjtën kontratë, paguhen ndryshe nga njëri-tjetri. Kurse një pjesë e tyre ka marrë edhe retroaktiv, normalisht kjo ka ngjallë një pakënaqësi e madhe te të gjithë anëtarët e bordit”, ka thënë Behramaj.

I pranishëm ishte edhe kryesindikalisti i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se shpreson që ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, do t’i realizojë kërkesat e tyre.

“Ishte kjo një protestë shumë e veçantë që filloi me një pjesë të reportarit të tyre. Këta njerëz na përfaqësojnë kudo në botë dhe ne krenohemi me ta. Uroj që ministri Çeku dhe të tjerët të ulen dhe të bisedojnë me këta njerëz dhe të realizojnë kërkesën e tyre, e cila është shumë reale dhe e drejtë”, ka thënë Jasharaj./rtk

Të ngjashme