Protestë para KEDS, organizatorët thonë se atë institucion e udhëheqë “Sulltani i Kosovës”

21:15 | 9 Qershor 2019
Arbresh.info

Tash e një kohë, 82 punëtorë të KEDS-it kanë mbetur të papunë.

Remzi Demaj, nga njësia e distriktit të Prishtinës ka thënë se Gjykata Themelore e ka lëshuar vendimin për rikthimin e punëtorëve në vendin e punës mirëpo KEDS, ka bërë ankesë në Gjykatën Kushtetuese ku kjo e fundit, nuk po lëshon vendimin.

Demaj i ka thënë Insajderit se Gjykata Kushtetuese nuk po e lëshon vendimin pro apo kundër këtij procesi dhe se punëtorët nesër do të organizojnë protestë para kësaj gjykate.

Pro punëtorëve ka dalur Gjykata Themelore e cila e ka lëshuar vendimin e kthimit të punëtorëve në vendin e punës, mirëpo, sipas Remzi Demajt, KEDS nuk po e zbaton vendimin.

“KEDS nuk e zbaton vendimin, nuk i njeh ligjet e Kosovës, nuk e njeh shtetin e Kosovës”, ka thënë Demaj për Insajderin.

Sipas tij, në KEDS qëndron “sulltani” i Kosovës i cili nuk e lejon zbatimin e Gjykatës Themelore.

“Sulltani i Kosovës nuk e zbaton ligjin e Kosovës. Ai është në KEDS, dihet kush është, e dini ju ma mirë se unë” është shprehur Demaj.

Nesër në orën 10 është paraparë protestë e punëtorëve ndërsa organizatorët kanë thënë se do të jetë protestë e qetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme