Google ADS

Pronat e shtetit ende të uzurpuara në veri

13:37 | 26 Qershor 2018
Arbresh.info

Ende disa lokale si asete shtetërore vazhdojnë të jenë të uzurpuara në veri të Kosovës. Kështu ka thënë drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, i cili tha se në tërë Kosovën mbeten edhe tri lokale të uzurpuara në veri të Mitrovicës, që sipas tij ky numër ka qenë edhe më i lartë.

Ai gjatë raportimit të Raportit të punës për vitin 2017 në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se në këtë periudhë AKP-ja ka identifikuar edhe 38 asete të reja të AKP-së.

Hajdari shtoi se në vitin 2017 kanë qenë një mijë asete në shitje me dy mijë oferta. Sipas tij, në 2017 miliona euro janë ndarë për kreditorë.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi tha se në mungesë të kompletimit të Bordit, për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka qenë jo funksional dhe ishin stopuar aktivitetet e kësaj Agjencie.

“Në vitin 2017 kemi hartuar një plan të shitjes, por në mungesë të bordit, janë paraparë të privatizohen vetëm pesë valë të shitjes për vitin 2018”, tha Gashi, duke shtuar se për Trepçën janë pezulluar çfarëdo aktiviteti nga AKP-ja në momentin kur ka hyrë në fuqi ligji i ri për Trepçën.

Ai ka folur edhe rrezikun nga uzurpuesit e pronave.

“Është bërë një punë e madhe për lirimin e pronave shoqërore, por thënë të drejtën e kemi një brengë nga kërcënimet e uzurpuesve të pronave shoqërore. Një rast kemi pasur në Lipjan”, tha Gashi.

Ai shtoi se studimi i fizibilitetit për Trepçën ka përfunduar në maj të vitit 2017. Në këtë Agjenci mjetet për paga në vit arrijnë 3 milionë e 600 mijë euro.

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, është shqyrtuar në parim edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (COSME) (2014-2020)”, ku ka raportuar zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë Faton Thaçi. Komisioni ka miratuar projektligjin për ratifikim.

Raporti për AKP-në nuk është votuar në mungesë kuorumi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme