Google ADS

Promovohet Platforma e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve

10:42 | 16 Nëntor 2022
A. B.

Shtatë organizata partnere të Platformës së Këshillit të Evropë për Siguri të Gazetarëve, po qëndrojnë në Kosovë më 15 dhe 16 nëntor 2022, në një mision faktmbledhës.

Sipas një njoftimi nga AGK, thuhet se kjo platformë është mekanizëm zyrtar i Këshillit të Evropës dhe njëkohësisht platforma më e madhe në kontinentin e Evropës për dokumentimin e kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe mediave.

“Qëllimi i misionit është të adresojë sulmet ndaj gazetarëve, pandëshkueshmërinë, paditë SLAPP, pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias, vetë-rregullimin, transparencën, qasjen në dokumente publike dhe çështje të tjera që ndërlidhen me sigurinë e gazetarëve. Partnerët e Këshillit të Evropës kanë kërkuar takime me përfaqësues të lartë të qeverisë, parlamentit, institucioneve gjyqësore, institucioneve të pavarura, të shoqërisë civile dhe me akterë të tjerë relevantë”, thuhet në njoftim.

AGK ka njoftuar se të gjeturat e misionit do të bëhen publike përmes një konference për shtyp, sot më 16 nëntor, nga ora 14:30.

Pjesëmarrës të delegacionit faktmbledhës janë: ARTICLE 19, International Press Institute (IPI), European Federation of Journalists (EFJ), Committee to Protect Journalists (CPJ), European Broadcasting Union (EBU), Reporters Without Borders (RSF), European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF).

“Në këtë takim AGK-ja u përfaqësua nga Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi Bojaj, e cila prezantoi punën e Asociacionit dhe angazhimin në raport ne sigurinë e gazetarëve dhe të drejtat e tyre.
Ndërsa, gazetarët pjesëmarrës nga media të ndryshme në Kosovë dhe përfaqësues të organizatave lokale, e pasqyruan klimën e të bërit gazetari në Kosovë dhe sfidat e gazetarëve gjatë kryerjes së detyrave profesionale. Gjatë qëndrimit të delegacionit në Kosovë, ata do të takohen edhe me përfaqësues të institucioneve të sundimit të ligjit dhe të tjera”, thuhet në njoftim. /arbresh.info/

Të ngjashme