Google ADS

Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir Aksiqit manifestohen elementet e krimeve të luftës

18:11 | 23 Dhjetor 2024
E.H

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili ngarkohet për krime lufte në periudhën janar-maj 1999 në fshatrat e Komunës së Shtimes. Prokurorja Habibe Salihu tha se është vërtetuar se Aksiq ka kryer veprën që i vihet në barrë, kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Zharko Gajiq e dorëzoi fjalën përfundimtare në formë të shkruar.

Prokurorja Habibe Salihu, fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, ndërsa gjatë elaborimit tha se gjatë këtij shqyrtimi është vërtetuar nga provat e administruara se i akuzuari Aksiq ka kryer vepën penale që i vihet barrë sipas aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjatë shqyrtimeve që u mbajtën, u administruan mjaft prova nga të cilat pa mëdyshje u vërtetua që në veprimet e të akuzuarit janë manifestuar elementet e veprës penale të përshkruara në aktakuzë”, tha prokurorja Salihu.

Prokurorja theksoi se nga provat materiale është vërtetuar djegia e shtëpisë së Sadri Jasharit, vendi ku është varrosur i ndjeri H.H., e në varrin e të cilit është gjetur edhe shishja e cila ka pasur brenda fletën me shkrimin e emrit të të ndjerit, si dhe emrin e Çedomir Aksiq si ekzektues i tij.

Po ashtu, si provë materiale ajo tha se edhe raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, do të tregojë se nga zhvarrimi i të ndjerit H.H., provohet se ai është vrarë nga i akuzuari.

Prokurorja Salihu tha se përpos provave materiale, edhe dëshmitarët e dëgjuar provojnë se i akuzuari Aksiq, ka marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e popullatës civile.

“Përveç provave materiale që në njëfarë mënyre e vërtetuan dëmin e shkaktuar, po ashtu edhe vërtetimi i mënyrës së kryerjes, janë dëshmitarët që kanë parë e në ekzekutimin e qytetarëve shqiptarë, i cili mori pjesë drejtpërsëdrejti i akuzuari Aksiq”, shtoi ajo.

Po ashtu, prokurorja Salihu përmendi se dëshmitrarja Shukrie Hysenaj, bashkëshortja e të ndjerit H.H., e kishte parë se si i akuzuari e kishte marrë tani të ndjerin dhe që nga ai moment nuk e kishte parë më.

“Në momentin kur është ndalë i ndjeri H.H., pasi që në disa qaste e ka thirrë bashkëshorten, e njëjta ka shku ka bisedu. Po nga kjo dëshmitare tregohet se e njëjta nuk e ka njohur Aksiqin po në momentin kur ka shku, pasi që e ka ndalë Çedomiri, të njëjtës bashkëshorti i thotë “mos u boni merak për mua se po e njoh, ky është “Çeda”. Pas kësaj gruaja largohet me fëmijët, ndërsa bashkëshorti nuk u kthy asnjëherë i gjallë”, tha tutje prokurorja.

Sipas Salihut, kjo fjali e tani të ndjerit ka qenë për t’i treguar bashkëshortes se diçka e keqe do të ndodhë dhe sipas saj qëllimi i të ndjerit ka qenë që t’ia bëjë me dije identifikimin e personit që e ka ndaluar dhe ka marrë pjesë në ekzekutimin e tij.

Po ashtu, sipas prokurores, përmes dëshmitrarit Agim Hysenaj është vërtetuar se si i akuzuari ia ka drejtuar armën tani të ndjerit dhe e ka marrë në pyetje.

“Është dëshmitari Agim Hysenaj i cili sa ishte i ndalur nga Çedomiri dhe Policia, Agimi kishte mundur të afrohet deri në afërsi për të vërtetuar ku kishte mbetur H.H., dhe është ky i cili na dëshmoi se e ka parë edhe me armë të drejtuar nga ai dhe duke e marrë në pyetje”, shtoi Salihu.

Duke marre parasysh provat që janë administruar, Salhiu tha se është e pakontestueshme fakti që i akuzuari mori pjesë në vrasjen e popullit shqiptar, e në djegien e shtëpive të tyre siç është përshkruar në aktakuzë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Aksiq, avoakti Zharko Gajiq tha se fjalën përfundimtare e ka paraqitur në formë të shkruar dhe ua dorëzoi nga një kopje palëve, duke thënë se mbetet në tërësi pranë saj, andaj të njëjtën nuk e elaboroi.

Ndryshe, më 20 nëntor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte nisur gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili po akuzohet për krime lufte. Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Çedomir Aksiq, i cili akuzohet për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Ai ngarkohet se prej periudhës janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal të uniformuar, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integriteti trupor ose shëndetit dhe frikës ndaj popullatës civile.

Në aktakuzë, thuhet se në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave” vend midis fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, kishin urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes, e më pas së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ua kanë djegur shtëpitë të dëmtuarve, duke shkaktuar dëm moral dhe material deri në 300 mijë euro.

Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Aksiq thuhet se tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishe ekzekutuar me një pushkë 10-she, ku familja e të ndjerit paraprakisht ishin ndalur nga i akuzuari Aksiq, ku më pas të njëjtit kishin gjetur trupin e të ndjerit pa shenja jete. Kurse në fshatin Reçak, thuhet se Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.

Fillimisht, thuhet se Aksiq në bashkëkryerje me forcat tjera serbe, kishin gjuajtur në drejtim të Hajriz Brahimit, derisa ky i fundi ishte duke ikur nga shtëpia e tij në drejtim të malit, dhe pas Hajriz Muratit, Aksiq thuhet të ketë shtënë pastaj edhe në drejtim të Hakin Muratit, Sabri Muratit dhe Arif Muratit. Tutje, në prezencë të gruas (së viktimës), thuhet se Aksiq kishte vrarë dhe personin me emrin Ahmet Mustafa dhe derisa po largohej nga shtëpia e tani të ndjerit Mustafa, me forcat serbe thuhet të kenë shtënë edhe në drejtim të Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujotës, Skender Halitit dhe Mehmet Mustafës.

Dëshmitarë të rastit janë renditur: Ruzhdi Jashari, Sadri Jashari, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, Hajdin Hysenaj, Blerim Hysenaj, Hyzer Hysenaj, Njazi Mujota, Tefik Halili dhe Avdullah Krasniqi.

Me këto veprime, Aksiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e dënueshme edhe sipas Konventës së Gjenevës si “Krim lufte” në shkelje të rëndë të nenit 3 të kësaj konvente dhe nenit 4. protokolit 2 të datës 8 qeshor 1977 dhe aktualisht e ndëshkueshme sipas nenit 146 dhe 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se procesi gjyqësor ndaj Aksiq zhvillohet në mungesë, pasi që Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e prezencës së tij në gjykim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme