Prokurorja Merita Bina – Rugova zgjidhet anëtare e KPK-së nga radhët e PSRK-së

12:35 | 25 Mars 2019
L G

Në Prokurorinë e Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është realizuar procesi i votimit për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e këtij institucioni prokurorial.

Në bazë të kompetencave ligjore, nga radhët e PSRK-së, nga 15 prokurorë sa ka kjo prokurori, të drejtën për t’u kandiduar për anëtar të KPK-së e kanë shfrytëzuar prokurorët  e shtetit: Drita Hajdari, Merita Bina – Rugova, Naim Abazi dhe Valdet Gashi.

Në këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë të gjithë prokurorët e kësaj prokurorie dhe pas procesit të votimit të rundit të parë dhe numërimit të votave, rezultoi që asnjëri kandidat nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar i KPK-së.

Procesi i votimit u përsërit, duke u mbështetur në rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së, me ç’rast të drejtën për t’u kandiduar e fituan Merita Bina – Rugova dhe Naim Abazi, të cilët në rundin e parë morën më së shumti vota – nga 5 secili.

Pas procesit të votimit të rundit të dytë dhe numërimit të votave, prokurorja Merita Bina – Rugova u zgjodh anëtare e Këshillit Prokurorial nga radhët e PSRK-së me 8 vota për, ndërsa kundërkandidati i saj, prokurori Naim Abazi, mori 7 vota.

Procesi zgjedhor në PSRK është zhvilluar pas dorëheqjes së anëtarit të KPK-së nga radhët e kësaj prokurorie, prokurorit Blerim Isufaj..

Zgjedhjet e mbajtura sot në PSRK janë monitoruar nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme