Në gjykimin ndaj deputetit të LDK-së, Naser Osmanit dhe gjashtë të tjerëve, të cilët po gjykohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me privatizimin e Fabrikës “FAN”, në Podujevë, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Fikrije Fejzullahu kërkoi dënimin e të gjithë të akuzuarve.
“Nga gjitha provat e administruara vërtetohet përtej çdo dyshimi të bazuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale sipas aktakuzës andaj i propozoj Gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit”, tha prokurorja Fejzullahu, raporton Kallxo.com.
Në këtë gjykim Naser Osmani dhe Bahri Shabani akuzohen se e kanë keqpërdorë detyrën zyrtare në momentin kur kanë votuar për monitorim të fabrikës “FAN”.
Këto akuza i kundërshtoi avokati i deputetit Osmani, Besnik Berisha.
“Si duket Prokuroria nuk u kënaq me torturimin e klientit tim që nga prilli i 2014 e deri më sot por akoma vazhdon edhe sot të kërkojë shpalljen e tij fajtor për votën që e ka dhënë bazuar në bindjen e tij të lirë”, tha Berisha.
Ai tha se deputeti Osmani është viktimë dhe kërkoi lirimin e tij, raporton Kallxo.com.
“Naser Osmani është viktime e një persekutimi katërvjeçar, dhe në emër të tij kërkoj lirimin e tij nga aktakuza. Jepni fund kësaj ndjekje sepse nuk ka ndëshkim pa ligj e ligji e favorizon Naser Osmanin”, shtoi avokati Berisha.
Vetë deputeti Naser Osmani deklaroi se aktakuza e Prokurorisë nuk është në frymën e drejtësisë dhe kërkoi të lirohet nga kjo akuzë.
“Kjo aktakuzë është joserioze, jo e dinjitetshme dhe nuk është në frymën e drejtësisë, andaj kërkoj që të lirohem nga kjo akuzë e Prokurorisë”, tha deputeti.
Mbrojtësi i Bahri Shabanit, avokati Basri Jupolli, tha se Prokuroria nuk ka arritur ta provojë fajësinë e klientit të tij.
“Gjatë këtij gjykimi sa ka zgjatur, me asnjë provë të vetme nuk janë vërtetuar pretendimet e Prokurorisë se i mbrojturi im ka kryer veprën që pretendon Prokuroria. Ai dhe Naser Osmani akuzohen vetëm për ngritjen e dorës që e kanë pasë për detyrë dhe për obligim ta bëjnë, andaj i kërkoj Gjykatës që t’i lirojë nga akuza”, tha avokati Jupolli.
Lirimin e të mbrojturve të tyre e kërkuan edhe avokatët e të akuzuarve të tjerë.
Gjykimi për privatizimin e fabrikës “FAN” është njëri nga rastet e shenjëstruar për liberalizimin e vizave.
Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 6 persona të tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.
Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe biznesmeni Agim Deshishku si blerës i fabrikës “Fan”.
Sipas aktakuzës, Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.
Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.
Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.
Me këto veprime Prokuroria pretendon se Osmani e Shabani dyshohen se kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm për vete ose blerësit e fabrikës “FAN” të Podujevës.
Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.
Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.
Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.
Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.
Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në vlerë prej...
Kushtetuesja e Speciales hudh poshtë referimin e Thaçit lidh...
LDK: Vazhdojnë përgatitjet drejt fitores së madhe!
Gjesti krijon momente magjike në oborrin e BBVK3, në orën 4 ...
“Krishtlindja këtë vit nisi me një mrekulli të vogël”, Rama ...
Bombardimet pakistaneze në Afganistan vrasin 46 persona