Prokurorja evidenton kontradikta në deklaratat e tij, dëshmitari thotë se ishte habitur kur tha se s’ka qenë në Kukës

11:31 | 10 Janar 2024
E.K

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, të mërkurën po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 10-të i mbrojtjes, Safet Gashi, i cili tha se ishte habitur kur deklaroi në vitin 2019 se nuk ka qenë në Kukës.

Prokurorja Gaia Pergolo tha se ka evidentuar kontradikta në deklaratat e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Gashi. Kurse, ky i fundit fillimisht tha se dje nuk e kishte kuptuar pyetjen e avokatit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e kam kuptu pyetjen e thash edhe para trupit gjykues, të parën ditë kur kam shku të marsit atë ditë nuk më kujtohet data saktë, unë në Kukës e kam marrë uniformën dhe kam shku për Kalimash apo Kolsh. Nuk ia kam kuptu zotri avokatit pyetjen mirë”, tha dëshmitari.

Ndërsa, prokurorja Pergolo i tha dëshmitarit se pyetja ishte shumë e qartë.

“Avokati iu ka pyetur a keni shku nga Kosova drejt në Gorozhup dhe ju keni thënë ‘po’, nuk e shoh se çfarë ka pasur të paqartë aty”, tha Pergolo.

Ndërsa, dëshmitari sërish insistoi duke thënë se ndoshta nuk e ka kuptuar pyetjen mirë.

“Nuk e kam kuptu pyetjen ndoshta mirë. Unë e them për të tretën herë këtë, unë kam shku në Kukës, e kam marrë uniformën dhe jemi largu larg Kukësit diku 30-40 kilometra diku afërsi larg Kukësit kjo”, tha Gashi.

Mirëpo, në një deklaratë që Gashi kishte dhënë për ZPS-në në vitin 2019, sipas prokurores Pergolo, ai kishte deklaruar se kurrë nuk ka qenë në Shqipëri.

“Në deklaratën që i keni dhënë ju ZPS-së, ju keni thënë që gjatë dislokimit me UÇK-në, nuk keni qenë kurrë në Kukës, nuk keni qenë kurrë në Shqipëri, a ju kujtohet që e keni thënë këtë në 2019”, tha Pergolo.

Ndërsa, dëshmitari tha se në Kukës ka qenë 1 apo 2 orë.

“Në Kukës nuk jam kanë, jo në Shqipëri. E pranoj. Të merremi vesh, në Kukës 1 orë apo 2 e kam cekë edhe dje që kam nejtë në Kukës më tepër asnjë”, tha Gashi duke bërë që të reagojë prokurorja Pergolo e cila i tha se nuk ishte ashtu.

Sipas prokurores, në vitin 2019, Gashi kishte deklaruar se ai nuk kishte hyrë kurrë në Shqipëri gjatë kohës sa ishte pjesë e UÇK-së.

“Dy kamtë e mija, nuk kanë hy kurrë në territorin e Shqipërisë, kurrë”, tha prokurorja Pergolo duke cituar atë që kishte thënë Gashi në intervistën për ZPS-në në vitin 2019.

Para së të fillojë dëshminë dëshmitari Gashi, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia dha një urdhër gojë që ka të bëjë lidhur me nxjerrjen e disa materialeve nga ZPS-ja për mbrojtjen.

“Lidhur me njoftimin shtesë të rregullës 102 të Prokurorisë që është parashtrimi i protokolluar… i datës 8 janar 2024. Duke pasur parasysh numrin e kufizuar të materialeve, do të veprojmë si në vijim me qëllim që mbrojtja t’i marrë ato materiale në mënyrë sa më të shpejtë nëse i kërkojnë. Mbrojtja duhet të informojë ZPS-në se cilat materiale nga këto të renditura në njoftim dëshiron që t’i ketë dhe përmes nxjerrjes apo konsultimit të materialeve dhe do të japë një njoftim sot me datën 10 janar deri në orën 13:00”, tha gjykatësja gjatë marrjes së këtij urdhri.

Ajo shtoi se ZPS-ja duhet të nxjerrë dhe t’i japë qasje në këto materiale të caktuara të kërkuara nga mbrojtja sot, deri më 11 janar 2024.

“Nëse mbrojtja kërkon nxjerrjen e këtyre materialeve sipas rregullës 103 që kërkojnë përcjelljen e këtyre materialeve me redaktime, ZPS të bëjë kërkesë para trupit gjykues të njëjtën ditë, pra të enjten, 11 janar 2024 deri në orën 13:00. Kështu që nëse ZPS-ja dëshiron të kundërshtojnë materialitetin e dëshmive të kërkuara nga mbrojtja, duhet ta paraqes këtë kundërshtim të trupi gjykues”, theksoi Veldt-Foglia.

Të ngjashme