Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Komunikata e plotë:
Prizren, 24 Janar 2024 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, me datë 07.09.2021 në Dragash, në cilësinë e personit zyrtar – referent pranë Zyrës kadastrale të Drejtorisë për urbanizëm, kadastër dhe mbrojtjen e mjedisit të Komunës së Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e këtij të fundit, vepron në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, në atë mënyrë që ngastrat kadastrale: P-457, P-1478 dhe P-2138 të Zonës Kadastrale të fshatit Brezne – Komuna e Dragashit, me pronar ekzistues D.B., pa bazë juridike dhe procedurë të rregullt ligjore, të njëjtat i regjistron në emrin e qytetarit H.B., duke ia lëshuar të njëjtit certifikatën e pronësisë së datës 07.09.2021, e cila certifikatë është në kundërthënie të plotë me certifikatën e pronësisë së datës 14.08.2018 lëshuar nga po i njëjti autoritet, qytetarit – të dëmtuarit D.B.
Ndërsa, me datë 02.11.2021 jashtë çdo autorizimi lidhur me detyrën e tij zyrtare, përpilon Shpjegimin me shkrim për Gjykatën, të cilin e nënshkruan dhe e vulos me vulën zyrtare të autoritetit kadastral, madje pa e protokolluar fare të njëjtin, ia dërgon Gjykatës, në të cilin shpjegim i ka paraqitur sqarimet – arsyet e tij se përse i ka regjistruar ngastrat e lartpërmendura kadastrale nga pronari ekzistues D.B., në personin tjetër H.B., me çka i shkakton dëm të dëmtuarit D.B., në vlerën e ngastrave kadastrale prej 250,000.00 euro.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Arbresh.info/
Hapet konkursi i ri për specializime, 268 vende në 37 lëmi s...
KFOR zhvillon stërvitje në Pejë, simulohet një operacion eva...
Zjarr në Kuvendin e Seulit, evakuohen 500 persona
Osmani nderohet me Çmimin “Grand Excellence 2024” nga Albani...
Guardiola: Man City nuk ka asnjë shans për titullin e Ligës ...
Prezantohet plani i veprimit për sigurinë në shkolla, Rama: ...