Google ADS

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj kryetarit të Malishevës

14:39 | 21 Shkurt 2018
Arbresh.info

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndaj kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi të cilit i është caktuar lënda, Gëzim Pozhegu, i cili shqyrtimin fillestar e ka caktuar më 22 shkurt 2018, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 29 dhjetor 2017, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Ragip Begaj, akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, atë të kryetarit të Komunës së Malishevës, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Shërbyesit Civil, me qëllim të përfitimit të personit tjetër, duke e dëmtuar buxhetin e komunës, ka angazhuar Labinot Mazrekun, në cilësinë e menaxherit të prokurimit në kuadër të Drejtorisë për Administratë të Përgjithshme në Komunën e Malishevës dhe me të njëjtin më 7 shkurt 2014, ka lidhur kontratë mbi vepër në kohëzgjatje prej 5 muajsh dhe më pas e ka vazhduar edhe për dy muaj, edhe pse më parë komuna e kishte punësuar menaxherin për prokurim dhe zyrtar të licencuar, të cilët posedonin certifikata të prokurimit dhe mund t’i kryenin ato detyra.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Begaj, edhe pse ka kuptuar se në zyrën e menaxherit të prokurimit, Haxhi Krasniqit, ka pas keqpërdorime, respektivisht ka humbur dosja e operatorit ekonomik “SHPK Albakos & NNSH Korben”, Pejë-Gjakovë, i cili operator kishte parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), si palë e pakënaqur dhe ankesa i ishte aprovuar nga ky organ, sipas vendimit PSH.Nr.234/14 të Panelit Shqyrtues të OSHP-së, të datës 11.08.2014, sipas të cilit vendimi i autoritetit kontraktues është anuluar si i pabazë dhe është urdhëruar ky autoritet ta kthej lëndën në ritenderim, si dhe ka obliguar autoritetin-komunën, se të marr në përgjegjësi personat përgjegjës për humbjen e ofertës, me të cilin rast, i pandehuri pas pranimit të vendimit, në procedurë të shpejtuar pezullon të gjithë zyrtarët e prokurimit nga puna me 50 % të pagës prej 14 gushtit 2014, edhe pse dosja ishte zbuluar dy ditë pas pranimit të vendimit dhe atë në zyrën e menaxherit të prokurimit dhe pasi që i pandehuri kishte hetuar duke përfshirë këtu edhe përmes regjistrimeve të kamerave në zyrën e prokurimit lidhur me çështjen e dosjes së humbur, por i njëjti duke shpërdoruar detyrën zyrtare ka ndërmarr këto veprime në kundërshtim me ligjin.

Me këtë, kryetari Begaj, akuzohet të ketë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme