Janë bërë pothuajse një muaj që kur Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Por që nga atëherë, Prokuroria Speciale ende nuk ka nxjerrë një aktvendim se deri ku ka shkuar procesi i hetimeve.
Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, thotë për Ekonomia Online, se kjo prokurori nuk e ka luksin që ta stërgjatë këtë proces dhe që javën tjetër në bazë të kompetencave të tij do të ndërmarrë veprime të caktuara juridike.
“Edhe pse tani është bërë 1 muaj, Prokuroria Speciale ende nuk ka nxjerrë një aktvendim për zhvillimin e hetimeve me të cilin faktikisht do të fillonin hetime për identifikimin e vrasësve të Astrit Deharit, për identifikimin e shtytësve në vrasje dhe posaçërisht për ata që kanë fshehur vrasjen për më tepër se tri vjet.
Deri më tani kemi dërguar tri kërkesa dhe të gjitha kërkesat që janë dërguar për të gjitha në formë të shkruar është njoftuar edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe ne faktikisht nuk kemi çka të presim më tepër.
Qysh javën e ardhshme do të ndërmarrim veprime të tjera të caktuara ligjore që prokuroria të vihet në funksion të ligjit në funksion të vetvetes dhe të mos e mbajë lëndën që ka marrë prej Prokurorisë në Prizren. Nuk ka kurrfarë arsye ta mbajë lëndën të tillë pa nxjerrë një aktvendim për zhvillimin e hetimeve në drejtim të identifikimit të vrasësve të Astrit Deharit”, theksoi Gashi.
Ai thotë se tani më Prokuroria nuk ka se çka të hulumtojë me teorinë e mëhershme, pasi tri vjet kanë mjaftuar që të dihet e vërteta që është ditur nga dita e parë se Astrit Dehari është vrarë.
“Duket se është një neglizhencë, nuk mund të themi ende e qëllimshme, por duket që atyre ju është nevojitur një kohë e caktuar që thjesht të vijnë në rrugë ligjore që të nxjerrin vendim për zhvillimin e hetimeve dhe të angazhojë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, hetuesit më të mirë të Kosovës, që të identifikojnë vrasësit e Astrit Deharit. Mendoj se ky është obligim ligjor për prokurorët. Nëse nuk veprojnë në mënyrë të tillë, atëherë vetvetiu në bazë të ligjit, familja e Astrit Deharit mund të kërkojë përmes meje që ata të largohen krejtësisht nga kjo çështje kaq e rëndë penale”, shtoi Gashi.
Gashi më tej tha se edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi do të duhej të kërkonte llogari nga prokurori i rastit, e për të cilin ende nuk e dinë se kujt i është caktuar.
“Besoj që edhe Aleksndër Lumezi do duhej të kërkonte llogari nga Prokurori i rastit, për të cilin ne ende nuk e dimë se kujt i është ndarë, tani për tani ne faktikisht në mënyrë juridike jemi duke bashkëpunuar jemi duke i drejtuar shkresat e caktuara kryeprokurorit të përkohshëm të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe përveç një shkrese që ata janë përgjigjur se janë në sistemimin e lëndës dhe do të më ftojnë mua si avokat i familjes Dehari por edhe prindërit e Astrit Deharit që të koordinojmë punën kjo deri më tani nuk ka ndodhur”, u shpreh ai.
Më tej, Gashi thotë se prokurori i çështjes por edhe prokurori i Shtetit e dinë që me rastin e nxjerrjes së vendimit për zhvillimin e hetimeve në drejtim të identifikimit të vrasësve të Astrit Deharit ata që kanë fshehur rastin do duhej të arrestoheshin
“Besoj që prokurori i çështjes por edhe prokurori i shtetit e dinë që me rastin e nxjerrës së vendimit për zhvillim të hetimeve në drejtim të identifikimit të vrasësve të Astrit Deharit një pjesë do të thotë një numër i pacaktuar që ne nuk e dimë sa do të jetë ndoshta zyrtarëve të lartë shtetërorë. Pra atyre që kanë fshehur rastin do duhej të arrestoheshin dhe besoj që janë kalkulime të tjera juridike nuk po them politike që kanë shtyrë Prokurorinë Speciale dhe Prokurorin e Shtetit që deri më ditën e sotme të mos ndërmarrin veprime të caktuara apo ndoshta kanë ndërmarrë për të cilat neve nuk na kanë njoftuar deri më sot”, ka përfunduar Gashi.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 24 tetor ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit.
Astriti ka vdekur më 5 nëntor 2016,derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.
Donald Trump: Do të rris tarifat për Kanadanë, Meksikën dhe ...
“Travel and Tour World”: Shqipëria, një yll në rritje në tur...
Drenusha e ashpër ndaj Gjestit, sebep gota e verës
Trump kërcënon me tarifa të larta Kanadanë, Meksikën dhe Kin...
Përmbytjet në Indonezi, të paktën 19 viktima
Aksident me vdekje në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”