Prokuroria Speciale bën mbledhjen e provave për masakrën e Mejës

19:42 | 11 Maj 2022
L G

Prokurorja e Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Drita Hajdari, njëherësh udhëheqëse e Departamentit të Krimeve të Luftës, së bashku me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes në lidhje me masakrën e Mejës ne komunën e Gjakovës.

Gjatë ditës, ekipi i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, kanë shikuar dhe lokalizuar vendet ku janë kryer krimet, si dhe kanë siguruar provat e nevojshme lidhur me këtë krim,shkruan arbresh.info.

Prokurorja, Drita Hajdari, gjatë vizitës në Mejë, saktësoi se sipas informatave aktuale, në këtë masakër “janë vrarë treqindeshtatëdhjetegjashtë (376) persona. Shumica e mbetjeve mortore janë gjetur, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur”.

Gjithashtu, prokurorja Hajdari potencoi faktin se “gjatë operacioneve ushtarake dhe policore të ushtrisë jugosllave, përveç vrasjeve të shumta janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, si djegia e shtëpive dhe plaçkitja e popullsisë civile si dhe dëme tjera materiale”.

“Prokurorja speciale edhe kësaj radhe sqaroi se misioni EULEX ishte përgjegjës për procedimin e krimeve të luftës. “EULEX ka filluar hetime për këto krime dhe në një moment janë pezulluar ato. Edhe pse rastet e krimeve të luftës ishin në kompetencë të PSRK-së, një kohë të gjatë ligji nuk lejonte të rihapeshin hetimet. Mirëpo, me ndryshimin e fundit të Ligjit për gjykim në mungesë, na është mundësuar rihapja e hetimeve dhe tani jemi këtu në vendin e krimit, me policinë dhe forenzikën, për të lokalizuar vendet ku janë kryer krimet dhe për t’i siguruar provat e nevojshme”, theksoi ajo duke shtuar se deri më tani janë dëgjuar njëqindenjëzetegjashtë (126) dëshmitarë, ndërsa pritet të dëgjohet edhe një numër i madh dëshmitarësh të tjerë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale deri më tani ka arritur të identifikojë një numër të madh të kryerësve të këtij krimi si dhe të atyre që dhanë urdhrin dhe organizuan këtë krim.

Masakra e Mejës është një prej masakrave më të rënda që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, dhe si e tillë paraqet një rast shumë kompleks, i cili kërkon shumë punë dhe përkushtim për të dokumentuar krimin dhe për t’i sjellë kryesit para drejtësisë.​/arbresh.info/

Të ngjashme