Google ADS

“Prokuroria s’pati guxim as t’i thërrasë e lëre më t’i hetojë të akuzuarit e “Prontos”

01:31 | 4 Janar 2020
Trina Galanxhi

Sot gjatë ditës u liruan 11 prej të akuzuarve në rastin e njohur “Pronto”.

Pati reagime të shumta nga OJQ-të e nga politika, por IKD-ja i ka kundërshtuar reagimet politike që i ka quajtur të papranueshme për vendimet gjyqësore, megjithatë, ka kritikuar qasjen e Prokurorisë në këtë rast.

Betim Musliu nga Instituti Demokratik për Drejtësi sonte në Interaktiv të KTV-së, tha se kanë bërë vërejtjen e kritikat e tyre në bazë të përmbajtjes së aktakuzës, dhe ky vendim, sipas tij, ishte selektiv.

“Krerët e institucioneve kanë qenë të paprekshëm, dhe mbesin të paprekshëm, sepse Prokuroria nuk ka pasur guxim as t’i intervistojë si dëshmitarë e lëre më të pandehur, pra s’pati guxim as t’i thërrasë e lëre më t’i hetojë”, tha ai.

Musliu tha se nga kjo qasje selektive, e pabazuar dhe pa asnjë dëshmitarë, sipas tij, nuk mund të pritej vendim tjetër prej Prokurorisë.

Ai tha gjithashtu se mediat patën rol të rëndësishëm në shpërfaqjen e këtyre përgjimeve.

“Pas presionit, prokurori i shtetit Aleksandër Lumezi e formoi një task forcë që i printe Dritë Hajdari. Rrugës gjatë hetimit, ka pas ndërhyrje të drejtëpërdrejtë nga kryeprokurori. Ndërhyrjet e kanë dëshmuar se kjo Prokurori e kjo prokurore, kanë qenë të kapur. Ajo ngriti aktakuzë e cila përbën vepër penale të shkeljes së statusit të barabartë por nuk kemi parë provat që të bindemi të gjithë që ka ndodhur ajo që veç e dijmë që ka ndodhë”, tha ai.

Është njoftuar se do të ketë ankesë për këtë vendim, por Musliu, e cilësoi që mund të jetë vetëm “shabllone”.

Edhe një herë i ka kundërshtuar akuzat e kundërshtimet e politikanëve. Ka veçuar disa që deri tash ishin në opozitë e tash në pozitë. Musliu tha se “ata janë vetëm politikanë e s’mund të përfshihen në deklarata të tilla me akuza”.

Sa i përket përzgjedhjes së prokurorit të ri në Prokurorinë Speciale Blerim Isufaj, i cili deri para rreth një viti ka udhëhequr me Këshillin Prokurorial dhe atij në Prokurorinë Themelore Kujtim Munishin, Musliu ka thënë se janë skandaloze.

Sipas Musliut, në përzgjedhjen e këtyre ka pasur cenim të disa prokurorëve tjerë, sepse përzgjedhja e komisionit ka qenë paradoksale.

“Dëshmuan se kanë probleme me integritet në përzgjedhjen e kryeprokurorëve”, tha Musliu, i cili shtoi se u kanë bërë ftesë kandidatëve tjerë të ushtrojnë ankesa.

Ka theksuar, se për këto raste duhet Vetting i thellë në gjyqësor.

Kujtojmë se Prokuroria dhe gjyqësori është thënë të kenë treguar mungesë të interesimit në luftën kundër krimit e korrupsionit, si dhe mungesë të guximit për të ndjekur figurat e larta shtetërore e politike, transmeton Koha.net.

Posaçërisht janë kritikuar prokurorja e rastit Drita Hajdari për selektivitetin në ndjekjen e protagonistëve të aferës “Pronto” dhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi, për ndërhyrjen në rastin, i cili ka përfunduar me ngritjen e një aktakuze, në të cilën prokurorja nuk e ka propozuar asnjë dëshmitar, që paraqet absurd të llojit të vet.

Të ngjashme