Google ADS

Prokuroria po interviston disa persona lidhur me rastin e të moshuarës ne Pejë

12:34 | 3 Nëntor 2022
E.H

Zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka deklaruar se intervistat e të akuzuarve për ushtrim dhune ndaj një të moshuares në Pejë, nuk mund të bëhen publike sepse janë hetime konfidenciale.

Sipas Nikçit, të gjithë personat që kanë informata në lidhje me këtë çështje, do të intervistohen.

“Ajo çka është relevante është se të gjithë personat që kanë informata për këtë çështje dhe janë të inkriminuar në këtë vepër penale do të intervistohen, do të merren masat e nevojshme ligjore ndaj tyre”, ka deklaruar Nikçi për arbresh.info.

I pyetur se a u janë konfiskuar telefonat të dyshuarave, Nikçi tha se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore për këtë çështje që të ndriçohet në prapavijë.

Megjithatë Nikçi njoftoi se janë lëshuar dhjetëra autorizime për intervistim për të kuptuar nëse ka pasur raste të tjera të ngjashme për ti zgjeruar hetimet.

“Janë lëshuar dhjetëra autorizime nga Prokuroria e Shtetit, në këtë rast nga Prokuroria Themelore në Pejë për Policinë e Kosovës që të marrë veprimet e nevojshme për intervistimin e personelit të të moshuarve që strehohen aty dhe personave të tjerë që kanë informata në mënyrë që të kuptojmë më shumë mos ka pasur eventualisht edhe raste të tjera për ti zgjeruar hetimet në drejtim të veprës penale të paraqitur”, tha Nikci.

Kujtojmë se dje është publikuar një video në rrjetet sociale ku një infermiere në shtëpinë e të pleqve “Orenda” në Pejë, ushtron dhunë fizike ndaj një të moshuare./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme