Google ADS

Prokuroria po heton përplasjen mes Xhavit Halitit e Arben Gashit në Kuvend

21:18 | 21 Maj 2018
M. A.

Konflikti fizik mes deputetëve Xhavit Haliti dhe Arben Gashi, i cili erdhi pas konfliktit verbal, nuk ka kaluar pa vëmendjen e Prokurorisë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, tha se ka kërkuar nga Policia e Kosovës informata lidhur me përleshjen fizike në mes të deputetit të PDK- së, Xhavit Haliti dhe atij të LDK- së, Arben Gashit që ndodhi të premten në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Konkretisht, kryeprokurori Beka tha se ka kërkuar të dijë se deri ku është arritur me hetime dhe tha se këtë informatë do ta ketë së shpejti.

“Kam kërkuar të di rezultatin e hetimeve deri më tani, pra deri ku është arritur me hetime”, tha Beka, pwr Kallxo.com.

Për të ditur se ku janë hetimet dhe a është iniciuar rast, Kallxo.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por zëdhënësi i saj, Baki Kelani i është shmangur pyetjes direkte duke thënë se policia këtu nuk ka punë.

“Po doni me bo temë me Policinë, thirri palët tjera”, ka thënë Kelani, i cili kur është pyetur se kush flet në emër të Policisë e cila operon në Kuvend, ka thënë “Kryesia e Kuvendit”.

Ndërsa Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi i ka thënë se me rastet ku supozohet që mund të bien ndesh me ligjin, merret Prokuroria dhe Policia.

“Sipas praktikave të deritashme çdo gjë që ka rënë ndesh me ligjin, me të është marrë Prokuroria e Policia”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa vet deputeti i LDK-së, Arben Gashi, kur është pyetur se a do të iniciojë rast ndaj deputetit Haliti, ka thënë se kjo është punë e partisë.

“Fol me kryetarin e grupit të LDK-së për këtë çështje, nuk është çështje e imja por e partisë”, ka thënë Gashi, i cili kur është pyetur se veprimi i Halitit nuk iste i drejtuar kundër LDK-së por kundër tij, dhe se a do të hapë rast, ka thënë “nuk është konflikt personal, debatin e kam në parlament”.

“Do të përgjigjem në kohën e duhur për këtë çështje”, është përgjigjur Gashi në pyetjen se a është për të hapur rast nëse Prokuroria nisë hetimet ex officio dhe kërkohet mendimi i tij.

Konflikti fizik i të premtes mes deputetëve Xhavit Haliti dhe Arben Gashi, i cili erdhi pas konfliktit verbal të një dite më parë, ndodhi ndodhi në momentin kur deputetët po votonin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Pamjet tregojnë se deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, pasi doli nga kabina e votimit me fletëvotim në dorë, ka shkuar drejt rreshtit të deputetëve ku gjendej edhe Arben Gashi. Në momentin kur i është afruar, Haliti shihet duke tentuar t’i bjerë me bërryl deputetit të LDK-së.

Pamjet e ofruara nga regjia e Kuvendit nuk shfaqin fjalët që mund të jenë thënë.

Në këtë moment, kolegët tjerë ndërhyjnë për të mos e lejuar eskalimin e mëtejmë. Pak sekonda më pas, deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, shihet në një polemikë me Arben Gashit, të cilit ia drejton gishtin si formë e tërheqjes së vërejtjes.

Një ditë pas Dreshaj tha se nuk kishte qëllim të qëronte hesapet me askënd.

“Qëllimi im nuk ishte që të qëroj hesape me askënd, por i tregova deputetit Gashi se nuk është e hijshme që të nxisë situata të tilla me fjalorin banal që kohëve të fundit po e shfaq në parlament dhe më pas të nxisë situata të tilla ndaj deputetit që me moshë mund të jetë baba i tij”, shkroi Dreshaj.

Kjo ngjarje kishte ngjallur reagime të shumta nga vet deputetët, si dhe nga shoqëria civile të cilët kanë kërkuar që Haliti të shkarkohet nga posti i Nënkryetarit të Kuvendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme