Prokuroria nis hetimet për vrasjen e shtetasit turk në Prishtinë

18:26 | 7 Dhjetor 2020
L G

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për vrasjen që ka ndodhur ditën e diel në lagjen “Dardania”, ku ka mbetur i vrarë një shtetas turk.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka nisur hetimin e rastit për ‘Vrasje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. E kemi një të dyshuar për rastin i cili aktualisht ndodhet në arrati”, tha ajo.

Ndryshe, dje rreth orës 12:o0 në rrugën “Bashkim Fehmiu” në Prishtinë është vrarë një person me armë zjarri.

“Rreth orës 12:00 policia ka marrë informatën për rastin e ndodhur në rrugën ‘Bashkim Fehmiu’ në Prishtinë, dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje dhe ngritur dyshimi se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën, mashkull i cili për pasojë ka humbur jetën. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe specialist për hetimin e rasteve të vrasjeve si dhe njësitë e specializuara për ekzaminim të vend ngjarjes”, kishte njoftuar Policia e Kosovës.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Atila Yaldirimin, shtetas turk, i cili dyshohet për kryerjen e vrasjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme