Google ADS

Prokuroria nis hetimet për vrasjen e bashkëshortes së Naim Murselit

10:38 | 30 Nëntor 2023
L G

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për vrasjen e 33 vjeçares, Liridona Murseli, e cila dyshohet se u qëllua për vdekje mbrëmjen e së enjtes nga grabitës të armatosur.

Lajmin për Arbresh.info e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Sipas saj, nga hetimet e deritashme, dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se nga informatat e deri tanishme dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje, ku nga nata kritike e në vazhdim, Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti”, bënë të ditur Ulaj.

Sipas saj, me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndryshe, rasti tragjik ndodhi mbrëmë (e mërkure) rreth orës 20:00  në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ku u vra gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.

Familja Murseli dyshohet se u përballënme një grabitje të armatosur, gjatë së cilës iu morën gjësendet me vlerë dhe më pas nga të shtënat me armë, mbeti e vdekur Liridona Murselin, 33-vjeçare.

Megjithatë, kjo nuk ishte vrasja e vetme që ndodhi mbrëmë.

Ndërkohë sipas njoftimit të policisë, bëhet fjalë për një grabitës.

“Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje.”, thuhet në raportin e policisë.

Një tjetër ngjarje tragjike ndodhi mbrëmë (e mërkure) në Prishtinë në rrugën ‘Ali Vitia’, ku 52-vjeçari, Ali Kosova, dyshohet se u privua nga jeta pasi u godit me thikë nga dhëndrri i tij, Edon Bujupi.

Ndërkohë, policia bënë të ditur se i dyshuari e ka therur babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin) pas një mosmarrëveshjeje.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në ora 21:30, ndërsa sic bënë të ditur policia, viktima ka ndërruar jetë në QKUK./Arbresh.info/

Të ngjashme