Google ADS

Prokuroria në Pejë jep detaje për ndarjen nga jeta të 17 vjeçarit në Gurrakoc të Istogut

21:33 | 19 Tetor 2018
M. A.

Pasditja e 12 tetorit ( e premte) ishte fatale për 17 vjeçarin nga Istogu, Diamant Osmanaj. Ky i fundit për shkak të një aksidenti të ndodhur në lagjen “Osmanaj” të Gurrakocit nuk arriti t’u shpëtojë plagëve të marra, me ç’rast ndërroi jetë në Spitalin Rajonal në Pejë.

Për këtë, Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet për veprën penale “Rrezikim i Trafikut Publik”, nga neni 378 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Zyrtari i Themelores në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për “Indeksonline” se ndaj të dyshuarit F.B është caktuar masa e ndalimit prej një muaj paraburgim dhe se i njëjti aktualisht ndodhet në qendrën e paraburgimit në Pejë.

Sipas tij, prokuroria tani është në pritje të ekspertizave me qëllim që të bëhet ndriçimi i rrethanave që karakterizon këtë vepër penale.

“Lidhur me rastin në fjalë, Prokuroria Themelore e Pejës ka filluar hetimet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”,nga neni 378 i KPRK-së. Ndërsa ndaj të pandehurit, me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Pejës është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Gjithashtu prokuroria për këtë rast është duke ndërmarr veprime hetimore,përkatësisht është në pritje të ekspertizave me qëllim të ndriqimit të kësaj çështje penale”, ka thënë Nikçi për Indeksonline.

Ndryshe, vdekjen e Diamantit e kanë përjetuar rëndë familjarët dhe shoqëria e tij. Ata me dhimbje kanë kumtuar lajmin e zi, ndërsa 17 vjeçarin do ta kujtojnë përherë si një person të urtë e të dashur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme