Edhe pasi që gjykata e shkallës së parë e ka liruar për herën e dytë nga akuzat për korrupsion, ish-gjyqtaren Safete Tolaj, Prokuroria Themelore në Ferizaj sërish është ankuar në Apel duke kërkuar ndryshimin e këtij vendimi të Themelores.
Po ashtu, organi i akuzës po kërkon nga Apeli që t’i konfiskohet edhe një banesë të akuzuarit tjetër në këtë rast, Fisnik Tolajt, banesë e cila është në emër të bashkëshortes së këtij të fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në anën tjetër, refuzimin e ankesës së prokurorisë dhe vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së parë, i kanë propozuar Apelit, mbrojtësi i Safete Tolajt, avokati Kujtim Kërveshi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Granit Shehaj, avokati Fitim Malokaj.
Kurse, mbrojtësi i Fisnik Tolajt, avokati Gëzim Kollcaku, Apeli i ka propozuar që t’ia zbut dënimit të mbrojturit të tij.
Këto ankesa dhe përgjigjet në ankesën e prokurorisë, u shqyrtuan të premten nga një kolegj i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Xhevdet Abazi, Abdullah Ahmeti dhe Afrim Shala.
Gjykata Themelore në Ferizaj, më 24 dhjetor 2019, njëjtë si në gjykimin e parë, ish-gjykatësen Safete Tolaj, e kishte liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor.
I pafajshëm ishte shpallur edhe zyrtari policor, Granit Shehaj, i cili akuzohet për veprën penale “ushtrim i ndikimit në ndihmë”.
Ndërsa, djali i ish-gjykatëses Tolaj, Fisnik Tolaj, i akuzuar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “ushtrim i ndikimit”, ishte dënuar me dënim unik prej katër vjetësh burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, ai ishte liruar për pikën e aktakuzës ku thuhet se në mes të datave 2 dhe 9 janar 2017, kishte kërkuar përfitim pasuror për vete ndaj atëherë të pandehurve Sh.H dhe B.H, ku përmes zyrtarit policor, tani të akuzuarit Granit Shehaj, ia kishin kërkuar vëllait të të pandehurve shumën prej 2000 euro, në mënyrë që atëherë gjykatësja Tolaj t’ua zëvendësonte masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.
Shpalljen e aktgjykimit e kishte bërë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi, ku për veprën penale të ushtrimit të ndikimit në vazhdimësi, të akuzuarin Tolaj e kishte dënuar me tre vjet burgim, ndërsa për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve në vazhdimësi, e kishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim. Më pas, të akuzuarit Tolaj i ishte shqiptuar dënimi unik prej katër vjetësh burgim.
Në këtë dënim, gjykatësi Idrizi kishte thënë se do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 13 janar 2017 deri më 7 korrik 2017. Ai ishte obliguar që të paguajë shumën prej 400 euro në emër të shpenzimeve të procedurës, si dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.
Po ashtu, ai ishte obliguar që të dëmtuarit Agron Kelmendi t’ia paguajë shumën prej 2000 euro, kurse të dëmtuarit Agim Bajraktari, shumën prej 2500 euro. Ndërsa, i dëmtuari Mehaj është udhëzuar në kontest civil, për kërkesë pasurore-juridike.
Lidhur me propozimin e prokurorit të rastit, Rasim Maloku, që të bëhet konfiskimi i banesës që ishte blerë në emër të bashkëshortes së të akuzuarit Tolaj, si dhe konfiskimin e 630 eurove të gjetura gjatë bastisjes, me arsyetimin se të njëjtat janë fituar në mënyrë të kundërligjshme, gjykatësi Idrizi kishte aprovuar propozimin e konfiskimit të përhershëm të të hollave, ndërsa ka refuzuar propozimin për konfiskimin e banesës.
E pakënaqur me lirimin nga akuza të Safete Tolajt, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ushtruar ankesë në shkallën e dytë. Sipas prokurorisë, shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë gjendjen faktike, gjë që ka sjellë pastaj edhe në lirimin e saj nga akuzat. Po ashtu, me të njëjtat pretendime, prokuroria ka kundërshtuar edhe lirimin nga akuzat të të akuzuarit Shehaj.
Prokuroria i ka propozuar Apelit që të ndryshon vendimin e Themelores dhe këta dy të akuzuar t’i shpall fajtor.
Kurse, sa i përket të akuzuarit Fisnik Tolaj, prokuroria i ka propozuar Apelit që t’ia konfiskon një banesë që ishte blerë në emër të bashkëshortes së tij, propozimi i cili ishte refuzuar nga gjykata e shkallës së parë.
Në anën tjetër, mbrojtësit e Safete Tolajt dhe Granit Shehajt, avokatët Kujtim Kërveshi dhe Fitim Malokaj, i kanë propozuar Apelit që të refuzon ankesën e prokurorisë dhe të vërteton aktgjykimin e shkallës së parë.
Sipas avokatit Kërveshi, gjatë shqyrtimi gjyqësor nuk është argumentuar se e mbrojtura e tij ka kryer veprën penale për çka akuzohet por vetëm ka ushtruar funksionin e saj gjyqësor.
“Është një hipokrizi profesionale si prokuroria në Pejë e pastaj sidomos ajo në Ferizaj që ka konsideru për një vendim që është vërtetuar në Apel gjyqtarja duhet me dhëne përgjegjësi penale”, tha Kërveshi në fjalën e tij para kolegjit të Apelit.
Sa i përket asgjësimit të vulave, vepër për çka akuzohet Tolaj, Kërveshi tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte bërë një auditim të të gjitha lëndëve dhe shkresave të ish-gjyqtares Tolaj dhe i njëjti auditim, kishte nxjerr si rezultat se nga të gjitha lëndët nuk mungon asnjë shkresë.
Siç tha Kërveshi, gjykata në Deçan është rindërtuar tre herë dhe vet ish-gjyqtarja Tolaj kishte dhënë argumentet për dokumentet që ishin gjetur nga prokuroria. Dokumentet që ishin gjetur, sipas Kërveshit, nuk kishin pasur kurrfarë vlerë dhe të njëjta ishin gjetur në një stuf.
“Nuk është vërtetuar se e mbrojtura ime ka kryer veprat penale”, përfundoi fjalën e tij, avokati Kërveshi.
Edhe mbrojtësi i Granit Shehajt, avokati Fitim Malokaj dhe se sikurse në gjykimin e parë, as në gjykimin e dytë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për çka akuzohet.
Kurse, mbrojtësi i Fisnik Tolajt, avokati Gëzim Kollçaku, tha se është pajtuar me disa nga rrethanat lehtësuese që janë cekur në aktgjykimin e shkallës së parë, por tha se ka edhe rrethana tjera që kanë mundur të merren parasysh në këtë rast.
“Përveç që ka qenë i sinqertë (i akuzuari Fisnik Tolaj), ka qenë hera e parë që i njëjti ka rënë ndesh me ligjin, është mbajtës i familjes, është i martuar, i ka tre fëmijë. Andaj kërkojmë të zbutet dënimi pasi ka hapësirë sidomos për rrethana posaçërisht lehtësuese”, tha avokati në fjalën e tij.
Edhe vet i akuzuari Tolaj, i cili ishte i vetmi nga të akuzuarit që prezantoi në seancë, tha se pajtohet me thëniet e avokatit të tij.
Kurse, pala e dëmtuar në këtë rast, Agim Bajraktari, tha se me rëndësi për të është vetëm t’i kthehen parat kurse sa i përket dënimit, i njëjti tha se “sa për mu, sot lironi”.
Lidhur me këto ankesa është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila gjykatës së shkallës së dytë i ka propozuar që të aprovon ankesën e prokurorisë kurse të refuzon ankesën e mbrojtjes së Fisnik Tolajt.
Ndryshe, ky rast është një ndër rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave.
Gjykata Themelore në Ferizaj, edhe më 13 korrik 2018, e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor Granit Shehaj, që po ashtu në atë kohë akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ndërsa, kjo gjykatë e kishte dënuar djalin e Safete Tolaj, Fisnik Tolaj me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim, për dy vepra penale “ushtrim i ndikimit” dhe “falsifikim i dokumentit”.
Për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, i akuzuari Tolaj ishte dënuar me tre vjet burgim, kurse për falsifikim të dokumenteve ishte dënuar me dy vjet burgim. Fisnik Tolajt do t’i llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 13 janari 2017 deri më 07 korrik të atij viti.
Mirëpo, e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, prokuroria kishte paraqitur ankesë në Apel, duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe duke shprehur pretendimin se dënimi për të akuzuarin Fisnik Tolaj nuk është i lartë sa duhet.
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në aktgjykimin e shkallës së parë nuk ishte vërtetuar drejtë gjendja faktike, pasi që gjykata nuk kishte vendosur në aktgjykim lidhur me konfiskimin e një banese në Prishtinë.
Në aktvendimin e Apelit me të cilin rasti ishte kthyer në rigjykim thuhej se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, për pjesën dënuese dhe liruese, për tre të akuzuarit, ku përfshihen veprat penale “ushtrimi i ndikimit në vazhdim”, “falsifikimi i dokumenteve”, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare, apo shkresave zyrtare” dhe “ushtrimi i ndikimit në ndihmë”, është anuluar dhe çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim.
Kjo pasi që, sipas Apelit, aktgjykimi është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave esenciale të procedurës penale.
Kurse, sipas aktvendimit të Apelit, sa i përket pjesës refuzuese që ka të bëjë vetëm më veprën penale “mbajtja ne pronësi ne kontrolle apo posedim të pa autorizuar të armëve” për të akuzuarin Fisnik Tolaj, aktgjykimi është vërtetuar.
Ndryshe, në seancën e fundit të mbajtur për këtë rast gjatë gjykimit të parë, prokurori Rasim Maloku, kishte sjell para gjykatës një kopje të ndryshuar dhe të plotësuar të aktakuzës.
Prokurori Maloku, në atë seancë kishte thënë se ka vlerësuar që ka ndryshim të gjendjes faktike dhe për këtë ka bërë një ndryshim dhe zgjerim të aktakuzës.
“Bazuar në nenin 350 dhe 351 paragrafi 1 të KPP-së pas një vlerësimi të gjithanshëm të të gjitha provave, kam konsideruar se është e nevojshme që të bëhet ndryshimi dhe zgjerimi i akuzës në këtë fazë të procedurës e që të përgatitur në formë të shkruar nga një kopje po iu dorëzoj palëve në procedurë dhe trupit gjykues”, kishte thënë prokurori Maloku.
Në aktakuzën e ndryshuar thuhej se tërhiqet nga ndjekja penale kundër të pandehurit Fisnik Tolaj, vetëm për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të autorizuar të armëve”, nga neni 374 par. 1 të KPK-së e përshkruar në pikën pesë të aktakuzës fillestare të datës 9 tetor 2017, sepse sipas tij, në shqyrtimin gjyqësor nuk është provuar se i pandehuri ka kryer atë vepër penale.
Tutje, aktakuza e ndryshuar thotë që kundër ish-gjykatëses Safete Tolaj, tërhiqet pika tre e dispozitivit ku ajo akuzohej për falsifikim i dokumentit zyrtar, nga neni 434 par.1 të KPK-së, me arsyetimin e njëjtë se sipas prokurorit Maloku, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e pandehura ka kryer atë vepër penale.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, tani Fisnik Tolaj, lidhur me dispozitivin e parë, që ka të bëjë me rastin e Agron Kelmendit dhe Agron Ahmetgjekaj, në çështjen civilo-juridike Cnr.74/12, ku sipas akuzës ai me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë pasuror për vete kishte kërkuar nga Agron e Berat Kelmendi shumën prej 20,000 euro me qëllim që të ushtronte ndikim mbi vendimmarrjen e gjyqtares Safete Tolaj, e më pastaj ishin pajtuar që të shkëmbenin një truall në sipërfaqe prej 3.70 m2 në emër të Agron Ahmetgjekaj dhe shumën prej 2000 euro, ndryshe nga aktakuza e parë ku për këtë akuzohej për kryerjen e veprës penale “mashtrim”, nga neni 355 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, tani cilësohet si vepër penale “ushtrim i ndikimit”, nga neni 431 par.1 të KPRK-së.
Ndërsa, është tërhequr pika ku ai akuzohej për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të autorizuar të armëve” nga neni 374 par. 1 të KPK-së. Kurse, pikat e akuzës lidhur me kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, nga neni 398 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së mbeten të njëjta.
Lidhur me pikat e akuzës ndaj ish-gjykatëses Safete Tolaj, ku ajo akuzohej për tre vepra penale, si “keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së, “asgjësim apo fshehje e materialit arkivor”, nga neni 414 të KPRK-së si dhe për “falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 par.1 të KPK-së, e përshkruar në pikën tre të dispozitivit të aktakuzës fillestare të datës 9 tetor 2017, sepse sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e pandehura ka kryer këtë vepër penale.
Kurse, për të akuzuarin e tretë, zyrtarin Granit Shehaj, vepra u ri cilësua dhe ai nuk do të ngarkohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, por si kryerje e veprës penale “ushtrim i ndikimit në ndihmë”, nga neni 431 par. 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.
Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Safete Tolaj, akuzohej se në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, ka keqpërdor autoritetin e saj zyrtar.
Sipas kësaj aktakuze, pasi që e pandehura më 2 janar 2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jep shumën prej 1,900 euro të pandehurit Fisnik, për të ndikuar tek e pandehura, e cila më pas më 10 janar 2017, masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.
Tutje, në këtë aktakuzë thuhej se e pandehura Safete Tolaj, deri më 13 janar 2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.
Gjithnjë, sipas aktakuzës, e pandehura deri më 13 janar 2017, në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj, përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që ky i fundit duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj, përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme. /BetimipërDrejtësi
Xheneta i hidhet në përqafim Vullnetit në sy të Gjestit
Sulmi në tregun e Magdeburgut, Arabia Saudite kishte paralaj...
Së paku 16 të lënduar pasi një raketë e hedhur prej Jemenit ...
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ush...
Guardiola tregon se a do të përforcohen gjatë afatit kalimta...
Dështon “premtimi” për 30 autobusë të rinj në vitin 2024, sh...