Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar gjykimi ndaj ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LKD), Naser Osmani dhe Atdhe Gashit, ish-këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil Bujar Bukoshit, të akuzuar për shmangie nga tatimi dhe shpërdorim.
Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori special Atdhe Dema ka thënë se nga provat është vërtetuar në mënyrë të plotë që të akuzuarit e kanë kryer veprën penale dhe atë me dashje, siç përshkruhet në dispozitivin e aktakuzës.
Ai ka shtuar se të njëjtit në bashkëkryerje kishin përvetësuar pasurinë e personit tjetër dhe se si prokuror nuk kishte gjetur asnjë provë të vetme që të tërhiqej nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me ekspertizat financiare të ekspertëve të pavarur, prokurori Dema ka kërkuar nga gjykata që të mos u falë besimin atyre, me arsyetimin se nuk kanë provuar asgjë më tepër se sa ajo e ekspertit Qorolli i cili ishte propozuar nga prokuroria.
Qëndrim të kundërt me prokurorinë kishte mbrojtja e të akuzuarit Osmani, avokati Florent Latifaj, i cili ka deklaruar se nga provat dhe dëshmitarët vetëm është vërtetuar që Naser Osmani ka qenë person i autorizuar në “UFORK” dhe ka kryer punën e tij aty.
Latifaj është shprehur se kontestuese ishte ekspertiza e përpiluar në mungesë të dokumenteve nga eksperti Bujar Qorolli, i cili sipas tij ishte privuar nga e drejta që të ketë dokumentacionin e plotë nga prokurori që kishte iniciuar rastin.
“Prokurori i çështjes i ka kërkuar të njëjtit që të bënte një ekspertizë me dokumentet që i posedonte, pra vetëm ato që i kishte aty për aty, edhe pse i njoftuar për mungesën e tyre, ai kishte insistuar ashtu siç ka thënë edhe dëshmitari eksperti Qorolli’’, ka deklaruar avokati Latifaj.
Andaj, mbi këtë bazë avokati Latifaj i ka propozuar gjykatës që në mungesë të tërësishme të provave të nxjerrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Naser Osmani.
Edhe i akuzuari Osmani ka shtuar se për shkak të një gabimi pa dashje të prokurorit që ka iniciuar rastin ka ndodhur e gjithë kjo.
“Gabimi është ky, prokuroria ka marr të dhëna përmes kartelës së bankës për vitin 2006 – prill 2012, ndërsa shpenzimet e arkës i ka kërkuar nga arkëtari Atdhe Gashi prej vitit 2008 -prill 2012, kështu që prokurori nuk i ka pas shënimet për vitet 2006 – 2007 të shpenzimeve të arkës, sepse neve na ka thënë se ajo është periudhë e vjetruar, dhe prandaj ekziston ky dallim i të hyrave dhe të dalurave”, ka thënë Osmani.
Tutje, gjatë fjalës përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Gashi, avokati Arianit Koci ka thënë se përveç që i mbrojturi i tij është i pafajshëm, është provuar se i njëjti është viktimë e një procesi të padrejtë dhe të një pune jo të saktë të prokurorit paraprak.
Për të akuzuarin Gashi, ai ka kërkuar nga gjykata që për veprën penale të shpërdorimit të merr aktgjykim lirues, ndërsa për shmangie nga tatimi të merr aktgjykim refuzues meqenëse ka kaluar afati i parashkrimit.Pas deklarimit të palëve, gjykatësja Medie Bytyçi ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 11 nëntor 2020, në ora 10:30.
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit
Vuçiq: Kosovën do ta çnjohin edhe shtete tjera
Putin thotë se bisedimet e mundshme me Ukrainën mund të mbah...
Liverpooli fiton ndaj Leicesterit dhe shkëputet në tabelë
Abdixhiku thotë se 40 mijë mërgimtarë e mbështesin LDK-në: S...