Në fjalën përfundimtare në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Shkëlzen Ibrahimi ka kërkuar që i akuzuari Fehmi Ramaj të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Ramaj akuzohet se si mësues i nivelit të ulët shkollor, në Shkolla Fillore dhe të Mesme të Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, ka ndërhyrë në ditarë, ku në lëndën e biologjisë ka përmirësuar notat e 11 nxënësve, përfshirë edhe djalit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë, prokuroria e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar. Për këtë të parën Ramaj është dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobëpasi e kishte pranuar fajësinë, kurse për veprën e dytë Gjykata Themelore në Prishtinë ka veçuar procedurën, pasi ai ishte deklaruar i pafajshëm.
Në fjalën e tij përfundimtare prokurori Ibrahimi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë dispozitivit të dytë të aktakuzës kundër të akuzuarit Ramaj në drejtim të veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 342 paragrafi 1 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar pika e parë e kësaj akuze.
Sipas tij, me dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave materiale është vërtetuar në tërësi teza e aktakuzës që i akuzuari Ramaj ka kryer edhe veprën e dytë të cekur si dispozitiv të aktakuzës, e që ky cilësim sipas prokurorit gjen mbështetje edhe në praktikën gjyqësore, në shkencën e të drejtës penale dhe komentarë të ndryshëm.
Se i akuzuari ka kryer veprat penale që i vihen në barrë, sipas prokurorit Ibrahimi një gjë e tillë është konstatuar edhe sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, të cilin vendim e citoji prokurori.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ramaj avokati Ramë Dreshaj, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim e po ashtu i njëjti ka cituar aktvendimin e Apelit me rastin e aprovimit të ankesës së tij ndaj aktvendimit për hudhje të aktakuzës që sipas tij thuhej se “nuk mund të bëhet fjalë për dy vepra penale për të njëjtin veprim”.
Paraprakisht, prokurori Ibrahimi ka bërë ri cilësimin e dispozitivit të aktakuzës sa i përket veprës penale nga paragrafi 2 i akuzës pasi që sipas tij i pandehuri më herët është gjykuar për veprën penale nga dispozitivi i parë.
E këtë ricilësim e ka kundërshtuar avokati Dreshaj i cili tha se nga përvoja e tij deri më tani për herë të parë ka para vetës një ricilësim të veprës penale ku i lidh dy veprat penale me bashkim real.
“Gjithçka duron shkenca penale por diçka të tillë nuk duron në cilësimin e veprës penale” tha tutje avokati Dreshaj.
Po ashtu, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitarja Besarta Jetullahu njëherit arsimtare në shkollën “Shote Galica” e cila ka deklaruar se ka pasur ndërhyrje në nota tek 11 nxënës të kësaj shkolle përfshirë këtu edhe djalin e të akuzuarit.
E njëjta ka thënë se si kujdestare e klasës lidhur me këtë e kishte njoftuar edhe drejtorin e shkollës.
Ndryshe, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale dhe i akuzuari Ramaj shfrytëzoi të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje.
Shpallja e aktgjykimi për këtë çështje penale do të bëhet më 23 qershor të këtij viti.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e datës 13 korrik 2021, kishte hudhur poshtë akuzën ashtu që kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit Ramaj për shkak të veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Mirëpo, kundër këtij vendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë të cilën e kishte aprovuar Gjykata e Apelit duke ndryshuar aktvendimin e Themelores dhe çështja ishte kthyer për gjykim në shkallë të parë.
Ndryshe, Fehmi Ramaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2020, pasi kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të 4 majit. Ai ishte dënuar me nëntë muaj burgim për dy veprat penale.
Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Dreshaj, pas së cilës Gjykata e Apelit çështjen e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se nuk janë respektuar dispozitat procedurale për pranimin me fajësisë.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 dhjetor 2019, Fehmi Ramaj akuzohet se më 30 maj 2014, rreth orës 16:00, në Shkollën Fillore të Mesme e Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, në cilësinë e personit zyrtar-mësues i nivelit të ulët shkollor, kujdestar i klasës së katërt, ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim që të përfitojnë dobi të tjerët, ashtu që ka tejkaluar kompetencat e tij, duke ndërhyrë në ditarin e klasës IX/1, ku sipas dëshirës së tij kishte përmirësuar notat ekzistuese të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2013/14, në lëndën e Biologjisë, pa dijeninë e arsimit të lëndës.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte ndërhyrë në notat e 11 nxënësve, duke përfshirë edhe djalin e tij, e duke i përmirësuar notat e tyre, me çka ka ngritur notën mesatare të tyre për të gjitha lëndët mësimore e kishte përmirësuar edhe sukseset e tyre të përgjithshme.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkaq sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, ai akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke shënuar të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar, ashtu që pasi kishte marrë ditarin e klasës së IX, në lëndën e biologjisë i kishte notuar 11 nxënës të kësaj klase me nota sipas dëshirës së tij, pa dijeni të arsimtarit të lëndës, tani dëshmitarit Hysen Halilaj.
Me këtë, Ramaj akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” në bashkim real me veprën nga pika 1 e dispozitivit të aktakuzës.
Nagavci: Kemi buxhetuar pagat për punësimin e 500 asistentëv...
G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të trupave koreanov...
Balluku: Nga 1 janari do të ulet çmimi i energjisë elektrike
Xhaka para duelit me Liverpool-in: E di se si është të luash...
Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit në 4-vjetorin e arre...
Alkent Pozhegu sjell artin e ri me portretet e Harrisit dhe ...