Google ADS

Prokuroria kërkon dënimin e Ilir Tolajt dhe të tjerëve

16:15 | 4 Qershor 2018
Arbresh.info

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka kërkuar dënimin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Një kërkesë të tillë, e ka bërë prokurorja speciale Floirje Shamolli, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, ku përveç Tolajt, akuzohen edhe ish-zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Taihiri dhe Remzije Thaqi.

Prokurorja Shamolli, në seancën e së hënës, ka thënë se në bazë të provave të administruara dhe dëshmitarëve të dëgjuar, është vërtetuar se të akuzuarit Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Taihiri dhe Remzije Thaqi kanë kryer veprën penale me të cilën janë ngarkuar. Sipas Shamollit, vetë procesi i shkatërrimit të barnave në atë mënyrë ka qenë shumë i pakujdesshëm dhe formë e keqe që ndikon edhe në ambient.

Ajo ka thënë se në këtë proces anëtaret e komisionit, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiqi dhe Remzije Thaqi, kishte pasur raste që nuk kanë marrë pjesë fare, por që kanë nënshkruar fletëmatjet, duke shtuar se ato nuk kanë mbajtur shënime adekuate për shkatërrim të barnave.

Ndërsa, për të akuzuarin Tolaj, prokurorja ka thënë se ai ka pasur obligim të sheh se a ka regjistër me barnat me afat të skaduar ose të formonte një grup punues për verifikimin e duhur të subjektit që ka fituar tenderin për asgjësim të barnave.

Në fund, Shamolli ka thënë se me veprimet dhe mos veprimet e tyre është keqpërdoruar paraja publike dhe taksat e qytetarëve të vendit, duke propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.Kurse, avokatët mbrojtës të të akuzuarve, Besnik Berisha, Ramë Gashi, Kujtim Kërveshi, Naser Sopjani dhe Skënder Musa kërkuan lirimin e klientëve të tyre me arsyen se prokuroria ka dështuar të argumentojë qartë dhe bindshëm se ekziston diçka përtej një dyshimi jo të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer vepër penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Tolaj, avokati Besnik Berisha, ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza.Sipas Berishës, prokuroria nuk ka iniciuar asgjë ndaj ish-ministrit Ferid Agani, i cili vetë ka deklaruar se procesi i shkatërrimit të barnave, sipas tij, ka qenë prioritet dhe politikë e tij.Berisha ka thënë se është për çudi se si prokuroria nuk ka iniciuar procedurë ndaj Aganit, por sipas tij, pa prova bën persekutim të njerëzve siç është Tolaj.Ndërsa, i akuzuari Ilir Tolaj, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se është i tmerruar me aftësitë e njësive lexuese të prokurores në fjalën e saj përfundimtare dhe se një gjykim i tillë, sipas tij, është bërë pa prova.Mbrojtësi i Zenel Kuqit, avokati Ramë Gashi, ka thënë se me ekspertizat dhe dëshmitarët është vërtetuar se klienti i tij nuk ka kryer vepër penale dhe se i njëjti duhet të lirohet nga akuza, pasi që sipas tij, nuk ka asnjë provë me të cilën dëshmohet se ai ka keqpërdorur pozitën e tij.I akuzuari Bekim Fusha, i cili në këtë proces është mbrojtur pa avokat tha se beson në trupin gjykues dhe se shfaq bindjen e tij të plotë se ndaj tij do të merret vendim i drejtë.

“Fillimisht dëshiroj të deklaroj se qëndroj pranë deklaratave të mija. Në fund dëshiroj të shtoj se ky shqyrtim gjyqësor ka vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se aktakuza e ngritur ndaj meje është e pabazuar dhe kundërthënëse”, ka thënë Fusha.

Avokati Kujtim Kërveshi, mbrojtës i të akuzuarës Florije Tahiqi, ka thënë se aktakuza është paushall dhe e paargumentuar, kur sipas tij, prokuroria thirret në dispozita ligjore pa i përmend cilat ligje. Ai ka deklaruar se ndien keqardhje për mënyrën se si organi i akuzës, ka zhvilluar këto procedura pasi që edhe provat e marra kanë qenë të papranueshme, ku në to përfshihet fletorja e rojtari të depos në fshatin Mazgit, pasi që sipas Kërveshit, mënyra e nxjerrjes së provës ishte bërë pa një vendim.

Sipas gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 06 qershor 2018, ora 13:15.Ndryshe, ky rast është një nga rastet e shënjëstruara për liberalizim të vizave.Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare. Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë euro. Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit po ashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme