Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që deputetët Albon Kurti, Donika Kadaj – Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për hedhjen e gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Për shkak të këtyre veprimeve, ata akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Prokurori Valdet Gashi, në fjalën përfundimtare në seancën e së enjtes, ka thënë se veprimet e të akuzuarve përbëjnë vepër penale.
Ndërsa, është tërhequr nga ndjekja penale ndaj Faton Topallit për armëmbajtje pa leje.
“Veprimet e të akuzuarit Albin Kurti manifestohen me kryerjen e veprës penale përdorim i armës dhe pengim i prsonit zyrtar është vërtetuar nga të gjithë dëshmitarët dhe video incizimet e vendit të ngjarjes së 08.10.2015. Fakti që është ndërprerë puna e personave zyrtarë, kjo është vërtetuar nga dëshmitarët dhe video incizimet e vendit të ngjarjes. Nga video-incizimet dhe dëshmitarët është vërtetuar fakti se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të cilat u vihen në barrë”, ka deklaruar prokurori.
Sipas tij, deputetët janë penguar në kryerjen e detyrës zyrtare si pasojë e gazit lotsjellës.
Ndryshe, në këtë proces gjyqësor dëshmitë e tyre në këtë rast i kanë dhënë deputetët Bekim Haxhiu, Blerta Deliu – Kodra, Flora Brovina, Naser Osmani, Xhavit Haliti, Armend Zemaj si dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi, shkruan Betimi për Drejtësi.
Në seancën e 19 dhjetorit ishte paraparë që të jep dëshminë e tij edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli por prokurori Vesel Gashi, kishte vendosur që të tërhiqet nga propozimi që ai të dëgjohet si dëshmitar.
Pas kësaj kishin reaguar deputetët e akuzuar të “Vetëvendosjes”, të cilët kishin kërkuar arsye pse prokurori kishte vendosur të hiqte dorë nga dëgjimi i dëshmisë së Kadri Veselit.
Pas këtyre reagimeve, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra ka përjashtuar nga seanca deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj – Bujupi.
E akuzuara Albulena Haxhiu, në emër të gjithë të akuzuarve kishte propozuar që si dëshmitar në këtë proces të jenë edhe 23 dëshmitarë në mesin e tyre edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Trupi gjykues kishte vendosur që të refuzoi këto propozime, me arsyetimin se dëgjimi i këtyre dëshmitarëve nuk ishte relevante me rastin.
Aktakuza ndaj tyre nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është ngritur më 16 dhjetor 2015.
Pas disa shtyrjeve të seancave për shkak të mungesës së të akuzuarve Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte urdhëruar arrestimin e tyre.
Policia e Kosovës, më 24 nëntor, në hapësirën e jashtme të Kuvendit të Kosovës, kishte arrestuar tre deputetët, Albin Kurtin, Donika Kadaj – Bujupin dhe Albulena Haxhiun. Për arrestimin e tyre, Policia e Kosovës ishte dashur të përdorë edhe sprejin pasi që kolegët e këtyre deputetëve ishin munduar të mos e lejojnë arrestimin e tyre.
Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre deputetët, por një ditë më vonë, Gjykata e Apelit ua kishte ndryshuar atyre masat e sigurisë.
Ndaj Kurtit dhe Kadaj-Bujupit, ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, derisa Haxhiu ishte lënë e lirë.
Ndërkaq, më 26 nëntor, Lëvizja “Vetëvendosje”, kishte organizuar festë pas numërimit të votave me kusht të cilat e bënin Shpend Ahmetin kryetar të Prishtinës, kurse në atë kremte kishin marrë pjesë edhe Kurti e Kadaj-Bujupi edhe pse ndaj tyre ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Një ditë më vonë, më 27 nëntor, policia kishte arrestuar Kurtin e Kadaj-Bujupin duke i kthyer në paraburgim, ku vazhdojnë të jenë nën këtë masë./Betimi për Drejtësi/
OBSH: Izraeli synon sistemin shëndetësor në Gaza
Në Shqipëri konfirmohen raste me Murtajën Afrikane të Derrav...
ATK-ja mblodhi gati 1 miliard euro të hyra sivjet, kontribuu...
Përurohen sportelet digjitale në Klinikën e Kirurgjisë në QK...
Enis Bardhi po i bashkohet gjigantit kroat
Hovenier: Kosovë, gjithmonë do të kesh një vend të veçantë n...