Google ADS

Prokuroria fillon procedurën penale ndaj 4 personave të kthyer nga Siria

13:38 | 20 Prill 2019
Arbresh.info

Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar procedurën penale ndaj katër personave të kthyer nga Siria. Ndaj këtyre katër personave, të cilët kanë marrë pjesë në konfliktet në Siri, është marrë vendim për ndalim dhe pritet që procedura të vazhdojë brenda afateve ligjore.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se Prokuroria Speciale e Kosovës, vite më parë ka filluar hetimet ndaj katër personave të dyshuar për kryerje të veprës penale, pjesëmarrje në grupe të organizuara për kryerje të veprave penale terroriste, dhe pjesëmarrje në luftë jashtë territorit të Republikës së Kosovës, por që procedura penale ishte pezulluar meqë personat nuk kanë qenë të arritshëm për institucionet e Kosovës.

Lumezi: Katër personat janë nën masën e ndalimit

“Kemi filluar hetimet dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të caktuara hetimore e kemi pezulluar procedurën penale, duke pas parasysh që personat të cilët kanë qenë të përfshirë në aktvendimin për thellimin e hetimeve nuk kanë qenë të arritshëm për autoritetet ndjekëse të Republikës së Kosovës… Tani ata janë nën masën e ndalimit dhe shumë shpejtë, pritet brenda afateve ligjore, që prokurori kompetent i prokurorisë speciale të Kosovës të ndërmerr edhe masat ligjore për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurën penale”, tha ai.

Lumezi, në një konferencë me gazetarë, tha se identiteti dhe të gjitha të dhënat e tjera personale të personave, dihen, por që njëherë nuk bëhen publike.

Lumezi: Deri më tani kemi ngrit aktakuzë për 119 persona

“Deri më tani për 119 persona kemi ngritë akte akuzuese, ndërsa për 156 persona të tjerë jemi në fazën e hetimeve dhe tash pas marrjes së informacioneve dhe emrave nga Policia e Kosovës për personat të cilët janë riatdhesuar nëse ka edhe dikush tjetër për të cilin kemi nxjerr aktvendim për zhvillimin e hetimeve, sigurisht edhe ata do t’i procedojmë në procedurë penale”, tha ai.

Në konferencën e Prokurorisë, u tha se personat e kthyer që dikush kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, mund ta marrin prapë atë nëse kërkojnë, përmes procedurave të rregullta dhe administrative.

Në orët e para të së shtunës, përmes aeroportit të Prishtinës, shteti i Kosovës ka arritur të kthejë 110 persona që po qëndronin në zonën e konfliktit në Siri, prej tyre 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë, ku këta të fundit janë ndaluar nga organet e sigurisë dhe drejtësisë, sipas procedurave të rregullta ligjore.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme