Një ditë pas deklaratave të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi nuk po e zbaton ligjin, ka reaguar Prokuroria e Shtetit.
Në reagimin e prokurorisë thuhet se duke e respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes të secilit individ, përfshirë këtu edhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si një nga të drejtat më fondamentale të një shoqërie demokratike, kjo e drejtë duhet të shërbejë për ta thënë çdoherë të vërtetën, e assesi nuk duhet që të keqpërdoret për të dezinformuar opinionin.
“Deklarimet e deputetes së Kuvendit të Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, të dhëna gjatë ditës së djeshme më 18 mars 2019, në një konferencë për shtyp në lidhje me bartjen e pozitave të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke thënë ndër të tjera se ”si bartës i institucioneve të drejtësisë nuk po e zbaton ligjin”, duke iu referuar ushtrimit të funksioneve publike të Kryeprokurorit të Shtetit, konsiderojmë se janë deklarata të paqëndrueshme, të pasakta dhe të njëjtat kanë për qëllim cenimin e integritetit të Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Shtetit.
“Ia kujtomë deputetes së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, por edhe publikut, opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), të dhënë më 09.07.2018 në lidhje me kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për ushtrimin e funksioneve publike, ku thuhet se; “Nuk ka konflikt interesi në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe funksioneve; Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Anëtar/ Kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, Anëtar i Bordit Drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Anëtar i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe nuk ka konflikt interesi të qenurit Kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës”, thuhet tutje.
Prandaj, Agjencia Kundër Korrupsionit ka konsideruar se të gjitha angazhimet shtesë të Kryeprokurorit të Shtetit, nuk janë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit.
Ushtrimi i këtyre funksioneve nga ana e Kryeprokurorit të Shtetit është në harmoni me ligjet të cilat i kanë miratuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe nëse mendoni që Kryeprokurori i Shtetit nuk duhet t’i ushtrojë këto funksione, atëherë ju si deputet duhet t’i ndryshoni këto ligje. Si deputete e Kuvendit të Kosovës duhet të jeni shembull i mirë i respektimit të ligjeve dhe duhet t’i lexoni mirë vendimet e institucioneve dhe agjencive të tjera ligj-zbatuese, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lëshoheni në deklarata të tilla të cilat kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Tutje në reagim thuhet se Prokurori i Shtetit është institucion kushtetues, unik dhe i ndërtuar mbi parime kushtetuese dhe ligjore si i pavarur dhe i paanshëm. Mbi këto parime kam punuar edhe unë si Kryeprokuror i Shtetit që nga momenti kur kam marrë detyrën. Andaj, të gjitha përpjekjet nga kushdo qoftë, përfshirë edhe ato politike për të bërë presion të çfarëdo lloji në punën e Prokurorit të Shtetit janë të pa pranueshme dhe ju garantoj se këto përpjekje do të dështojnë./arbresh.info
Kooperativa “Krusha”: Që nga viti 2015 nuk kemi marrë asnjë ...
E përlotur, Jonida Vokshi rrëfen humbjen e babait: Pati sëmu...
Moti në Kosovë për pesë ditët e ardhshme
Peci: Nuk mundeni me më ndal as me ujë, as me plumba – veç p...
Haradinaj: Edhe sa shifra qindmijëshe e milionëshe duhet të ...
Papa Françesku kërkon të hetohet nëse në Gazë po kryhet gjen...