Jo rrallë herë në Kosovë gazetarët kërcënohen dhe pengohen në kryerjen e punës së tyre. Një rast i fundit i një sulmi ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje ndaj gazetarit Parim Olluri, i cili drejton gazetën online Insajderi.
Olluri tha për Radion Evropa e Lirë, se persona të panjohur e sulmuan atë derisa ishte duke shkuar në banesën e tij bashkë me të fejuarën. Ai mendon se motivet e sulmit kanë të bëjnë pikërisht me punën që ai bën.
“Sulmuesit nuk më thanë asnjë fjalë, e nuk i njihja as kush janë dhe nuk u përmend asgjë. Ajo po më bën të dyshoj dhe besoj se ata kanë qenë të orkestruar dhe nxitur nga dikush”, tha Olluri.
Olluri i cili merret kryesisht me tema hulumtuese, tha se shpesh përballet me kërcënime, sidomos përmes rrjeteve sociale nga ata persona të cilët përmendën në raportet që kanë të bëjnë me korrupsioni.
“Unë tash, edhe nga Facebook-u kam kërcënime të shumta, fyerje të shumta prej njerëzve që e shfryjnë mllefin kur nuk ju pëlqen shkrimi i autorit. Kam pasur kërcënime edhe më herët, të cilat i kam lajmëruar në Polici, lidhur me disa tenderë të Komunës së Skenderajt. Në rastin e parë, Policia ka vepruar mirë, Policia dhe gjyqësori nuk kanë dhënë ndonjë informatë shtesë se çka është bërë me rastin. Unë shoh probleme, Insajder do vazhdojë të raportojë për aferat korruptive, për milionat që janë bërë në mënyrë të zezë nga njerëzit e politikës dhe bizneseve”, tha Olluri.
Sulmin ndaj gazetarit të Insajderit, e kanë dënuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se “ sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është i patolerueshëm në shtetin të cilin e kemi ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shprehjes së lirë”.
I shqetësuar me lajmin sulmin dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit të Insajderit, Parim Olluri është shprehur edhe kryeministri në largim, Isa Mustafa.
“Në një shoqëri, në të cilën duhet të kultivohet e drejta e fjalës publike, aktet e tilla janë të ulëta, të papranueshme dhe të dënueshme”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka bërë thirrje organeve të rendit për ndriçimin sa më të shpejtë të rastit, duke nënvizuar se “sulmet e tilla, në themel dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe të medies”.
Autoritet e rendit dhe ato të drejtësisë thanë se rasti po trajtohet me prioritet. Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sulme ndaj gazetarëve, trajtohen me prioritet.
“Të gjitha rastet janë duke u trajtuar me prioritet dhe ky rasti i fundit që ka ndodhur dje me zotin Parim Olluri është duke u trajtuar me prioritet. Ne e kemi ftuar zotin Olluri që të jetë vazhdimisht në kontakt me ne për ta mbështetur. Pra, çdo rast që po ndodh trajtohet me prioritet”, tha Kelmendi.
Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare, Freedom House e radhitë Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar dhjetëra raste të sulmeve e kërcënimeve ndaj punonjësve të medies gjatë këtij viti.
Shkëlqim Hysenaj Kryetar i AGK-se tha se liria e shprehjes në Kosovës vazhdon të jetë e cunguar.
“Gjendja e lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes në Kosovë është ende fragjile dhe Kosova ka dështuar që të krijojë një ambient të sigurt për të gjithë gazetarët, mirëpo edhe për njerëz të fushave të tjera, që të thonë në mënyrë të pavarur dhe të lirë atë të cilën e mendojnë. Pra, Kosova ende ka probleme dhe i është nënshtruar njëfarë lloj presioni i cili është i shtrirë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ne si shtet nuk po mund të kalojmë këtë fazë të zhvillimit demokratik”, tha Hysenaj.
Tregu i varfër, në të cilin gjenden mediat sot në Kosovë, ka bërë që disa prej tyre të varen, në disa raste, nga grupe të caktuara politike apo ekonomike.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut më anë të një komunikate për media thotë se “qëndrimit kritik kundër dukurive negative përmes frikësimit të gazetarëve të medieve elektronike dhe të shkruara, përpjekja për kufizim të lirisë së fjalës përmes frikësimit dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve është rruga drejt anarkisë dhe suspendim të ligjeve në fuqi”.
Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vitin e kaluar ka raportuar rreth 20 raste të kërcënimeve, sulmeve dhe cenimit të lirisë së gazetarëve./arbresh.info/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...