Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë

10:08 | 9 Shkurt 2022
Përparim Bublaku

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e rryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, me datë 08.01.2022 rreth orës 00:15 minuta, në vendkalimin kufitar të Vërmicës, i akuzuari M.D., në mënyrë tërthortë i ofron përfitim personit zyrtar përkatësisht policit kufitar A.Sh., që ai të mos veproj në pajtim me detyrën e tij zyrtare në atë mënyrë që gjatë kalimit të pikës kufitare të Vërmicës nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës, me kamionetën e tipit “Mercedes”, për t’i krijuar lehtësirë vetes pasi nuk kishte autorizim të vulosur për drejtimin e kamionetës nga pronari M.Th., nga fshati Shkarashnik-Malishevë, i akuzuari M.D., i prezanton dokumentet e kërkuara nga ana e personit zyrtar policisë kufitare ku në mes të dokumenteve në lejen e qarkullimit të automjetit kishte vendosur 10 euro ryshfet për policin kufitar i cili ishte në detyrë”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, i pandehuri M.D., ka përmbushur elementet e veprës penale “Dhënia e ryshfetit” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme