Prokuroria e Prizrenit mban ligjërata në shkolla kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore

16:01 | 4 Dhjetor 2024
E.G

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht prokuroret/koordinatore për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha dhe Elfete Purova, kanë realizuar ligjërata vetëdijësuese në shkollën e mesme Sh.M.L.M “Luciano Motroni” dhe në shkollën Sh.M.U. “Hysen Rexhepi” për klasat e nënta, në Prizren.

Këto ligjërata janë mbajtur në kuadër të fushatës vetëdijësuese “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, shkruan Arbresh.info.

Nxënësve iu ligjërua rreth konceptit të marrëdhënieve familjare, formave të dhunës në familje, aspektet penale të dhunës në familje, viktimat e ndjeshme, si dhe rolin e institucioneve shtetërore në luftimin e këtyre veprave penale.

Ata u informuan gjithashtu, për ndihmën juridike që mund t’u ofrohet nga Qendra për Ndihmë Juridike, për rolin e mbrojtësve të viktimave etj.

Këto ligjërata kishin për qëllim forcimin e kapaciteteve të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme për të identifikuar dhe raportuar dhunën në familje si dhe dhunën në baza gjinore.

Më tutje, nxënësit u njoftuan edhe për sanksionet ligjore që parashihen sipas ligjit për personat që kryejnë vepra penale të dhunës në familje, si dhe veprave tjera penale në kuadër të dhunës në familje.

Ligjëratat ishin interaktive dhe nxënësit shprehën interesim të madh gjatë ligjërimit, duke parashtruar pyetje të ndryshme për diskutim.

Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj edhe më tej t’i trajtoj me prioritet rastet e dhunës në familje, dhe do të vazhdoj të mbajë ligjërata të tilla, me qëllim të vetëdijësimit dhe të parandalimit të veprave penale të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore./Arbresh.info/

Të ngjashme