Prokurori i EULEX-it, Danilo Cecarrelli, në gjykimin ndaj Azem Sylës dhe 21 të akuzuarave të tjerë që po gjykohen lidhur me tjetërsimin e pronave shoqërore, ishte shumë kritik ndaj misionit që ai shërben.
Ai ka reaguar fuqishëm ndaj vendimit të menaxhmentit të EULEX-it, siç u tha nga kryetari i trupit gjykues, Petkov, për transferimin e gjykimit te vendorët.
“Transferimi i këtij rasti tek vendorët domethënë që është përfundim i rastit dhe të gjithë e dimë se pse”, tha Cecarelli.
Prokurori Cecarrelli e quajti turp dhe dështim vendimin për transferim.
“Ky është dështimi më i madh i EULEX-it, e jo skandalet idiote të EULEX-it që nuk ekzistuan asnjëherë”, tha në deklaratën e tij, prokurori Cecarrelli.
Ai më tej shtoi se me këtë vendim, EULEX-i ka dështuar të japë drejtësi në këtë gjykim.
“Ky është misioni ynë, të japim drejtësi dhe po këtu kemi dështuar”, tha prokurori Cecarrelli.
Në fund, prokurori Cecarrelli përmendi personat të cilët, sipas tij kanë vendosur që të transferohet ky gjykim te vendorët, por emrat e të cilëve nuk do të dihen asnjëherë.
“Dhe duhet të jemi të qartë që ky nuk është një vendim i imi apo i trupit gjykues por është i dikujtë tjetër, i dikujtë që nuk do e dijmë asnjëherë. Ky është personi që kurr nuk do të dihet kush është – nuk do të dihet emri i tij”, shtoi Cecarrelli.
Ai kërkoi që deklarate e tij të ‘jetë në procesverbal, dua që të jetë zyrtare dhe dua që kjo të dihet nga të gjithë’.
Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.
Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.
Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve ndërsa të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.
Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.
Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm./kallxo.com
Analistët: Rebelët sirianë, qasje të ngjashme me Talebanët n...
Moti sot në Shqipëri
Qeveria prezanton programin për parandalimin dhe zvogëlimin ...
Lansohet platforma për raportimin e korrupsionit
Sot prezantohen rezultatet përfundimtare të regjistrimit të ...
Parashikimi i motit për sot në Kosovë